Prof.dr.Vehbi Hoti – mishërim i humanistit e mendimtarit pedagogjik

 

Nga  Frrok VUKAJ – Tiranë

Shtatori i viti 1971 ka qenë për mua një ndër evenimentet më të rëndësishme të jetës sime-fillimi i studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik-Shkodër(sot, Universiteti “Luigj Gurakuqi”) , në një qytet me tradita të shkëlqyera, në arsim e kulturë, me personalitete të shquara në shkencë, në art, në sporte, në muzikë, në letërsi etj.- me një traditë të pasur të shquar e prurje bashkëkohore cilësore, të hershme e të vona.

Ky institucion i rëndësishëm, i hapur në vitin 1957, u bë  epiqendër e rëndësishme jo vetëm për Shkodrën, por për gjithë Veriun e Shqipërisë e më gjërë, që rrezatoi shumë në të gjitha fushat e jetës, që trashëgoi e pasuroi traditën 2500 vjeçare, duke i  dhënë një shtysë të rëndësishme zhvillimeve bashkëkohore.

Unë isha i familjarizuar e dashuruar me këtë qendër të rëndësishme, pasi kisha mbaruar këtu studimet e mesme po për mësuesi. Përfitimin e së drejtës për në shkollë të lartë, disi me vështirësi, e quaja një shans e fatbardhësi, që duhej shfrytëzuar pozitivisht, si një rast që përsëritet zakonisht një herë në jetë. Në auditorin kryesorë të Institutit patëm bërë hartimin para 4 vitesh, në atë tempull që na dukej si hyjnorë e si një ëndërr e parealizuar për t’u bërë student.

Kam shkruar e folur shumë për Shkodrën, e, dashje pa dashje, po më rrëmben nostalgjia, por duhet të përqendrohem tek objekti i shkrimit tim.

Kontaktet e para me profesorët e shquar ishte shumë mbresëlënës: shumë prej tyre më ngjanin me dijetarët e filozofët shumë të hershëm greko-latin apo të tjerë më të vonë, por binin në sy edhe ca pedagogë të tjerë me moshë relativisht të re, që kishe dëshirë t’i  shikoje se si silleshin, si visheshin e si komunikonin. Njëri shquhej për një trup elegant, i veshur thjeshtë e hijshëm, i gjatë e fare pak i kërrusur, mbase nga shtat lartësia, me një natyrë të qetë, flokë të zinj, të ndarë disi përgjysmë, i afrueshëm, modest e komunikues. Admirimi e kërshëria e çdo studenti ishte, përveç mësimeve, të njihnim e studionim edhe për çdo pedagog. Shpejt i mësuam emrin Vehbi Hotit ( i lindur me 06.04.1942), e ato perceptimet e para nuk na zhgënjyen as në vitet e mëvonshme

Veprimtar i palodhur e aftësi organizuese, por edhe shqetësime

Qysh se në ditët e para e shihnim të merrej edhe me problemet e rinisë; nuk më kujtohet mirë nëse ishte titullar apo zëvendës, por binte në sy aktivizimi i tij pa tamtame, pa shumë zhurmë e pa rrahje gjoksi, por i gjithë pranuar për cilësitë e tij pozitive, për shpirtin human, për çka kuptohej e çka na përcillnin edhe studentët e viteve pararendëse. Me sa dukej, ndonëse kishin rezerva për arsye biografie, udhëheqja e Institutit ia njihte zotësinë e aftësitë organizuese, autoritetin e respektin që gëzonte tek rinia, ndaj ia kishin nevojën, duke e pranuar herë hapur e herë “disi  fshehurazi”  veprimtarinë e tij dobiprurëse.

Nuk dinte të ishte arrogant e mendjemadh, por komunikues, i dashur, respektues e shpirt gjerë, që udhëhiqej nga ndjenja pozitive, gjë që manifestohej në leksione e seminare, në kohën e lirë, në punën prodhuese e në zborin ushtarak. Nuk i kishte fallcitete. Mirësinë e sjelljen e kulturuar e kishte në mish e në gjak, se rridhte edhe nga një familje me tradita qytetare, që respektonte çdo shtresë. Këto cilësi ishin pjesë e karakterit e personalitetit të tij, që rritej e forcohej çdo ditë.

E ndiqte pas si hije e zezë ”ajo njollë në biografi”, për të cilin jo që nuk kishte asnjë ndikim e përgjegjësi, por ishte treguar korrekt duke deklaruar se burri i tezes, bashkë me djalin e madh, ishin arratisur me grupin e nacionalistëve në fundin e nëntorit 1944 (Hafiz Sali Myftia e Fuat Myftia).

Disa komunistë e kolegë të paaftë, mbijetesën e  ’’besnikërinë ndaj partisë’’ e shihnin në gërmimin e biografive, duke mos vlerësuar aftësitë e kontributet për vendin.

Përveç mungesës së strehimit, ky ishte shqetësimi më kryesor që e shoqëroi deri në vitet ’90.

Edhe atëherë kur e qarkulluan për në Shkollën e Mesme Pedagogjike të qytetit dhe në Kabinetin Pedagogjik (1977-1981) ishte po i njëjti motiv, por disi i kamufluar.

Nuk e dekurajuan këto vite, por edhe këtu u shqua për nivel pedagogjik, shkencor e veprimtar i palodhur. Krahas  mësimdhënies cilësore, ai ngrit Muzeun historik të shkollës, organizoi një sesion shkencor me rastin e 60-vjetorit të themelimit të saj dhe botoi broshurën “60-vjetori i shkollës së mesme pedagogjike ‘Shenjaze Juka’”.

Me gjithë  privacionet e peripecitë, ndjente edhe kënaqësinë e punës;  asnjëherë nuk e dha veten as u dorëzua, as i shkoi në mendje të shfrente apo të hakmerrej ndaj studentëve a kolegëve, duke ruajtur drejtpeshimin e vlerat e atëhershme e të sotme, me shembullin pozitiv e kontribute në rritje.

Edhe në atë sistem, me rregulla e norma strikte e ekstreme, Profesori diti e di të diferencojë e të vlerësojë gjithë ata që i mundësuan shkollimin e lartë për bio-kimi në vitin 1961 në Tiranë. Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik të asaj kohe, ndikoi edhe në ndërprerjen e studimeve e largimin e studentëve shqiptar që studionin atje.

Në Shqipëri nuk funksiononte  degë  për psikologji-pedagogji.

Qeveria e atëhershme  vendosi  të  hapte një degë e tillë  duke përzgjedhur një grup të vogël studentësh prej 8 vetash nga vitet e dyta të degëve të mësuesisë së Fakultetit Histori-Filologji (Gjuhë-Letërsi, Histori-Gjeografi, Gjuhë të Huaja) dhe të Fakultetit të Shkencave të Natyrës (Bio-Kimi).

Në semestrin e dytë të vitit të katërt, Dekanati njoftoi edhe dy studentët e biokimisë që do të ndiqnin degën e re, për t’u paraqitur  në një takim në Ministrinë e Arsimit e Kulturës (MAK); ministri Thoma Deljana u komunikoi të dyve që, kur të diplomoheshin, do të emëroheshin në Tiranë. (Vehbi Hoti ishte njëri nga këta studentë).

Pas shkollimit, me 1 gusht 1965, filloi punën si metodist  në sektorin e pedagogjisë në Institutin e Studimeve e Botimeve Shkollore (ISBSH) i hapur për herë të parë në Shqipëri.

Për t’i ardhur në ndihmë familjes, pas një viti, me dëshirën e tij, më 10 shkurt 1966, Vehbi Hoti u emërua pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (ILPSH).

Edhe sot shprehet me mirënjohje për të gjithë ata, që pas punësimit në qytetin e lindjes,  gjykuan e vlerësuan drejt punën e figurën e tij, por  edhe të njerëzve të ndershëm, që kontribuan me devocion për të mirën e Atdheut.

Në prag të vitit të ri shkollor të vitit 1981, me kërkesën e drejtoreshës së Institutit, Dhora  Lloja, Sekretari i Parë i Partisë për Shkodrën (nr. 1 për atë kohë), e miraton kërkesën e rikthimit aty ku kishte qënë më parë, duke punuar si pedagog i brendshëm deri në vitin 2018.

Sigurisht, përveç mendimit të kolegëve e studentëve, ka qenë edhe mendimi i organeve drejtuese të Institucionit, kur, tre muaj pas largimit, në 20 vjetorin e hapjes së Institutit, u dekoruan 6-7 punonjës, mes të cilëve edhe Vehbi Hoti, diçka e pa zakontë për atë kohë.

Me të drejtë veçon e lartëson edhe figurën e drejtuesve kryesorë të atij institucioni me vlerë si Mihail Prifti e Dhora Lloja, që iu gjetën pranë e në çdo kohë bënë veprime konkrete ligjore e institucionale për ta vlerësuar e mbajtur si pedagog.

Edhe unë kam pasur fatin e mirë t’i kem pedagogë e drejtues të lartpërmendurit e ruaj të njëjtat mendime (si pjesa masive e studentëve e komunitetit e si profesori i nderuar), për të cilët kam shkruar edhe në botimet e mia.

Për këto aftësi e vetë kërkesat për rritjen e nivelit shkencor e pedagogjik po veçoj disa momente që tregojnë shumë :

-Për 16 vite ka qenë anëtar e sekretar i Këshillit Shkencor i ILPSH dhe për 15 vite (1970-77, 1983-1989) sekretar i redaksisë së Buletinit Shkencor, kryeredaktor i serisë së Shkencave të Edukimit të Buletinit Shkencor -organ i Universitetit të Shkodrës (2004-2017), për disa vite përgjegjës i Katedrës së Psikologji-Pedagogjisë, për 13 vite  1991-2003 dekan i parë i Fakultetit të Shkencave të Edukimit dhe anëtarë i Sanatit të Universitetit të Shkodrës etj. angazhime  me vlerë.

– Me Vendim të Këshillit të Ministrave datë 28.05.1991, në bazë të të cilit ILPSH riorganizohet duke u kthyer në Universitet me tre fakultete, njëri nga të cilët ishte “Fakulteti i Ciklit të Ulët” me tri katedra: Psikologji-Pedagogji, Lëndët Artistike dhe të Edukimit Fizik.

Me vendim të Ministrisë së Arsimit e të Kulturës Vehbi Hoti u emërua dekan i tij.

-Prof. Vehbiu ka dhënë një kontribut të veçantë për ngritjen, organizimin e drejtimin e Fakultetit të Ciklit të Ulët (më pas Fakulteti Shkencor i Edukimit), madje me të drejtë  mund të themi se ka qenë themelues.

-Profesor Vehbiu është dalluar për një punë serioze shkencore, kërkesa të larta ndaj vetes, gjykime e vetëgjykime të matura e objektive. Shembull i kësaj është edhe tërheqja  për temën e Doktoratës “Zhvillimi i arsimit në rrethin e Shkodrës në vitet 1965-85”, ndonëse e kishte pothuajse në përfundim. Pas 3-4 vitesh mbron me sukses  studimin për Doktoratë  që lidhej me kontributin e Luigj Gurakuqit për arsimin.

Botime e veprimtari të tjera shkencore

Monografi:

1 -Ethem Osmani – Mësues i Popullit, Shkodër, 2012, ISBN- 978- 9928 – 4131 – 0 – 9.

2 -Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar, autor, Tiranë, 2002, 340 faqe. – ISBN-99927-56-11-X.

3 -Bashkautor dhe redaktor i monografisë “Universiteti i Shkodrës në 100 vjetorin e Pavarësisë”, Shkodër, 2012, ISBN-978-9928-4136-2-9.

4 -Universiteti i Shkodrës ndër vite (1957-2002), 324 faqe, Shkodër, 2002, (bashkautor, autor i hyrjes dhe i kreut IV, faqe 11-14, 89-188, gjithsej 104 faqe) – ISBN-99927-56-10-1.

5 -Universiteti i Shkodrës në 50 vjetorin e themelimit të tij (1957-2007, bashkautor), Kreu i IV, Shkodër, 2007, ISBN-978-9956-02-27-7.

6 -Historiku i Fakultetit të Ciklit të Ulët, 20-vjetori, 160 faqe, 2001 (bashkautor, autor i pesë kapitujve nga shtatë që ka botimi, faqe 9-57, 71-95, gjithsej 72 faqe). -ISBN-99927-49-58-XI.

7 -Historiku i Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës (30 vjetori), Botim i veçantë i Universitetit të Shkodrës, 1978, 178 faqe(bashkautor, autor, 60 faqe).

 

Tekste për shkollën e lartë:

1-Hyrje në psikologji, bashkautor, Tirane 2016, ISBN 978-9928-208-23-1, SHB “Morava”.

2-Didaktika për Fakultetin e Ciklit të Ulët, Tiranë 1990, autor i dy kapitujve,  50 faqe.

3-Psikologjia moshore, për kursin pas- universitar të psikologjisë të UT, Tiranë1989, bashkautor, autor i një kapitulli, 52 faqe.

4-Psikologjia për shkollat e larta në dy vëllime, botim i UT, Tiranë, 1984, bashkautor, autor i 3 kapitujve, 120 faqe.

Udhëheqje Disertacionesh dhe juri:

1-1998 – Udhëheqës i një doktorature e mbrojtur nga Davë Përlala me temë: “Probleme të marrëdhënieve midis zhvillimit psikik dhe të të mësuarit për moshën 6-10 vjeç”, D. Përlala, nr. i regjistrit 65, Nr. i diplomës 245, dt. 2.04.1998.

2-1997-1999.-Anëtar jurie për mbrojtje doktoraturë në fushën e psikologjisë dhe të pedagogjisë pranë Departamentit të Psikologji-Pedagogjisë të Universitetit të Tiranës.

-Oponenca dhe recensione të ngarkuara: 25 të tilla

-Recensione të botuara për vepra të ndryshme:12 punime

-Referate dhe Kumtesa të mbajtura në konferenca dhe sesione shkencore:   49 punime

-Artikuj të botuar: 63 punime e trajtesa

-Udhëheqje diplome:  38 tema  të studentëve në fushën e psikologjisë e të pedagogjisë. Udhëheqës  edhe i shumë temave vjetore të studentëve.

-Plane dhe programe mësimore:15 hartime

 

Botime të veçanta (Broshura), autor

1-Shkolla e mesme pedagogjike e Shkodrës në 60-vjetorin e themelimit të saj, 1978, 50 faqe.

2-Përvoje nga puna e shkollave të rrethit të Shkodrës, 1980, 38 faqe.

3-Përvoje nga puna e shkollave të rrethit për kualifikimin dhe veprimtarinë shkencore, 1981, 40 faqe.

Tekste për shkollën e mesme:

  1. Pedagogjia, Tirane, 1972, 2 kapituj, 35 faqe.
  2. Pedagogjia për shkollën pedagogjike të minoritetit, Tiranë, 1 kapitull, 20 faqe.

 

Projekte:

1-Projekt i ngritjes së Qendrës së Trajnimit Profesional të mësuesve (QTPM), 1998, ka përfunduar. Qendra ka filluar nga funksionimi.

2-Koordinator i projektit “Iniciativa universitare për zbatimin e filozofisë “Hap pas Hapi” (Fondacioni “Soros” + Ministria e Arsimit + Universiteti) 1997 – 2001.

3-Koordinator i Projektit “Përgatitja e studentëve/mësues për edukimin e të drejtave të fëmijëve në Ciklin e Ulët” (QSHDNJ+Ministria+Universiteti) 2000 e në vazhdim.

Recensa me Entin e Teksteve dhe mjeteve mësimore të Malit të Zi: 19 punime

 

Senat, Këshilla shkencore, Komisione Redaksi:

1 -Anëtar i Komisionit të Ministrisë për problemet e Ciklit të Ulët, 1981-1991, ku kam dhënë ndihmesën për hartimin e përpunimin e herëpashershëm të planit mësimor, të programeve mësimore, në organizimin e praktikave mësimore, në diskutimin e teksteve të kësaj dege.

2 -Drejtues i kualifikimit pedagogjik e psikologjik për atestimin e mësuesve me arsim të lartë: 1975-1998.

3 -Sekretar i Këshillit Shkencor të Institutit LPSH 1967-1976,1983-1986.

4 -Sekretar i redaksisë së “Buletinit Shkencor” të Institutit LPSH, 1970-1977, 1981-1990.

5 -Kryeredaktor i Serisë Didaktike të Buletinit Shkencor të USH, 2002 e në vazhdim.

6 -Anëtar i Senatit të USH, 1991 e në vazhdim.

7 -Anëtar i Këshillit të Fakultetit të Edukimit të USH, 2000 e në vazhdim.

Me rastin e 65 vjetorit të  Institutit (Universiteti ”Luigj Gurakuqi” nderohet me titullin ” Doktor Honoris Causa”, dhe në kuadër të 80 vjetorit të lindjes (06.04.1942-04.07.2023). Ky shkrim, pjesë e një libri në botim, është shkruar disa kohë para se të ndërronte jetë Profesori.