Kostot e temperaturave shumë të larta janë ndër të tjera: reduktimi i produktivitetit të punës, kulturat e dëmtuara, shkalla më e lartë e vdekshmërisë, ndërprerja e tregtisë dhe pakësimi i investimeve
Ndikimi ekonomik i valës së pamëshirshme të të nxehtit që po djeg Europën Jugore, Shtetet e Bashkuara dhe pjesën më të madhe të Hemisferës Veriore mund të jetë afatshkurtër në shumicën e vendeve, teksa mund të çojë në mbylljen e përkohshme të vendeve turistike, braktisjen e ngrënies në natyrë dhe një rritje të përdorimit të energjisë elektrike, i përdorur për ftohje.
Por në terma afatgjatë, pasojat ekonomike të shkaktuara nga ndryshimet klimatike ka të ngjarë të jenë të thella.
Zjarret shkatërruese, përmbytjet dhe thatësira priren të mbizotërojnë titujt kryesorë për pasojat e valës së të nxehtit. Por, ka dhe efekte të tjera tinëzare mund të gjenerojnë më pak vëmendje, por gjithsesi kanë ndikim. Studiuesit kanë zbuluar se temperaturat ekstreme reduktojnë produktivitetin e punës, dëmtojnë të korrat, rrisin shkallën e vdekshmërisë, dëmtojnë tregtinë globale dhe pakësojnë investimet.
Një analizë nga studiues të lidhur me Qendrën për Kërkimin e Politikave Ekonomike publikuar nga “NY Times” zbuloi se Franca, Italia, Spanja, Rumania dhe Gjermania, kanë qenë më të prekura në Europë nga fatkeqësitë e lidhura me klimën gjatë 20 viteve të fundit. Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, megjithatë, janë goditur gjithnjë e më shumë nga problemet klimatike.
Zhvillime të tilla bëjnë presion të shtuar mbi shpenzimet publike, pasi qeverive u kërkohet të zëvendësojnë infrastrukturën e dëmtuar dhe të ofrojnë subvencione dhe lehtësim. Analiza vë në dukje se të ardhurat nga taksat gjithashtu mund të tkurren kur ndryshimet klimatike pengojnë aktivitetin ekonomik.
Humbjet ekonomike në lidhje me ndryshimet klimatike pritet të rriten ndjeshëm në të ardhmen, sipas vlerësimeve të Bashkimit Europian, megjithëse theksohet se në shumicën e vendeve anëtare nuk ka një mekanizëm për të vlerësuar kostot ekonomike.
Analistët në Barclays vlerësuan se kostoja e çdo fatkeqësie të lidhur me klimën është rritur gati 77 për qind gjatë gjysmëshekullit të fundit.
Në nivel global, humbjet do të zgjerohen. Një studim i botuar vitin e kaluar, që kërkonte të masë ndikimin e valëve të të nxehtit të shkaktuara nga njerëzit në rritjen ekonomike globale, arriti në përfundimin se humbja kumulative midis 1992 dhe 2013 arriti midis 5 trilion dhe 29.3 trilion dollarë globalisht.
Vendet e varfra në klimat më të nxehta janë ato që kanë vuajtur më shumë. “Të ardhurat më të ulëta i bëjnë ekonomitë tropikale më pak të afta për t’u përshtatur me rritjen e nxehtësisë ekstreme,” tha studimi.