KOSOVË– Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka anulluar mbledhjen e për ashkët mes ty qeverise, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, e cila ishte gati të mbahej në Gjakovë.
Përmes një konference të jashtëzakonshme për mediat Rama tha se i ka kërkuar homologut të tij kosovar, Albin Kurti, që të ndryshohet formati i mbledhjes së dy qeverive por ai nuk ka pranuar.
Edi Rama: E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar.
Rama ndër të tjera tha se ndjen keqardhje që nuk gjeti dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Sips kryeministrit të Shqipërisë homologu i tij kosovar kishte kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutonin për situatën e krijuar në veri të Kosovës.
Sipas Ramës kjo nuk mund të ndodhte sepse, sipas tij, nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot. Po ashtu kreu i qeverisë shqiptare paralajmëroi një valë të fortë ndaj Kosovës nga Bashkimi Europian.
Edi Rama: Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit [të Kosovës, Albin Kurti], unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur, e përsëris, jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit.
Ndërkohë pas këtij vendimi të Shqipërisë Qeveria e Kosovës tha se takimet dypalëshe do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër.
Përparim Kryeziu: Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por, është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme.
Ndërkohë mesditën e të martë lryeministri i Kosovës Albin Kurti doli në një deklaratë për mediat dhe paraqiti një plan me pesë pika që sipas tij zgjidhin konfliktin në veri.
Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri
- Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
- Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
- Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
- Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
- Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave
Mbledhja në Gjakovë pritej të mbahej disa ditë pasi Rama ua ka dërguar një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Rreth këtij propozimi, Kurti të martën në një konferencë për media ka thënë se Rama, në vend që të propozojë Asociacion për serbët në Kosovë, le t’ia propozojë një të tillë Beogradit, për shqiptarët në Serbi.
Ndërsa Rama, gjatë konferencës për media tha se për Asociacionin janë bërë edhe drafte të tjera.
Edi Rama: As nuk kam kërkuar të i imponohem dikujt. As nuk pretendoj që ai draft të merret dhe të adaptohet pa e parë. Unë nuk pres që presidenti i Serbisë [Aleksandar Vuçiq], as ta pranojë sepse kanë shkruar dikur një marrëveshje që draftin do të bëjë një ekip menaxhimi që është me serb. Unë nuk pres nga ai, por minimalisht, kryeministri i Kosovës thotë të shohim. Merre shihe njëherë, se nuk dihet. Mund të jetë komplet kotë, por ju siguroj që është top. Nuk e kam shkruar unë, e kanë bërë ekspertët e nivelit më të lartë botërorë.
Rama tha se shpreson që Kosova të dëgjojë “këshilla të mira” dhe të shfrytëzojë këtë kohë për “të dalë nga ky qorrsokak”. Rama shtoi se për Kosovën Asociacioni është obligim për shkak të marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut të Brukselit. Nëse nuk jetësohet ky organ, sipas tij, do të ketë pasoja për Kosovën.
Edi Rama: Bashkësia ndërkombëtare mund të vendosë që kryeministrit Albin Kurti të mos i hapet asnjë derë, sigurisht që dera jonë do të jetë e hapur. Unë pres që Kurti të pranojë kërkesën për t’u takuar dhe të më jap argumentat e tij, unë do t’ia paraqes ato bashkësisë ndërkombëtare.
Çfarë pritej të ndodhte në Gjakovë?
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kishin planifikuar të zhvillonin mbledhjen e nëntë të përbashkët. Mbledhjes së dy qeverive, sipas agjendë së dërguar nga Qeveria e Kosovës, ishte paraparë të udhëhiqej nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe i Shqipërisë, Edi Rama.
Në mbledhjen e nëntë mes dy qeverive pritej të nënshkruheshin 13 marrëveshje në fusha të ndryshme: drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës, ndërmarrësisë dhe mbrojtjes. Në mesin e tyre ishte edhe një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e sigurisë./Limit.al