Policia e Shkodrës vijon operacionin anti-drogë, me synim evidentimin e parcelave me kanabis dhe asgjësimin e tyre.
Këtë të premte, efektivët e Drejtorisë së Policisë Shkodër zbuluan 1437 fidanë kanabis sativa, nga të cilët 137 fidanë të kultivuar në kubikë dhe 1300 fidanë të kultivuar në tokë, në 2 ambiente të ndryshme, në zonën e Postribës.
Droga u evidentua në territorin e fshatit Gjuran dhe në fshatin Vilzë.
Në këtë operacion ku morën pjesë 80 forca policore dhe 6 dronë, u arrestuan në flagrancë shtetasit Myrto Lisaj, 43 vjeç, banues në fshatin Limsh dhe Bashkim Fregjaj, 53 vjeç, banues në fshatin Vilzë.
Këta dy shtetas dyshohen si autorët kryesorë të kultivimit të 350 fidanëve në tokë dhe 137 fidanëve në kubikë.
Gjithashtu uniformat blu të Shkodrës shpallën në kërkim edhe babë e bir L. F. dhe P. F, pasi në banesën e tyre të vjetër janë gjetur 950 fidanë kanabis të kultivuar në tokë.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër/Vijon megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Alpe të pastra”.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Shkodër dhe nga strukturat operacionale të DVP Shkodër, faza e tretë e këtij megaoperacioni.
Në megaoperacion u përfshinë 80 forca policore dhe 6 dronë.
Evidentohen dhe asgjësohen 1437 fidanë cannabis sativa, nga të cilët 137 fidanë të kultivuar në kubikë dhe 1300 fidanë të kultivuar në tokë, në 2 ambiente të ndryshme.
Vihen në pranga 2 autorë të dyshuar për këtë veprimtari kriminale dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Më herët, gjatë fazës së dytë të këtij megaoperacioni, u asgjësuan 26 600 fidanë cannabis sativa, të kultivuar në tokë dhe në kubikë, si dhe u vu në pranga njëri nga autorët kryesorë të dyshuar të kultivimit të këtyre fidanëve.
Në vijim të operacioneve dhe të megaoperacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen që në fazën fillestare, të tentativave për kultivim të bimëve narkotike, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Shkodër, është finalizuar faza e tretë e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”.
Bazuar në inteligjencën informative dhe si rezultat i planit operacional për kontrollin e territorit dhe të zonave me risk për kultivimin e bimëve narkotike, në njësitë administrative Pult dhe Postribë, shërbimet e Policisë kanë kontrolluar 191 zona malore dhe zona të tjera me risk.
Gjatë kontrolleve në territorin e fshatit Gjuran, njësia administrative Pult, dhe në territorin e fshatit Vilzë, njësia administrative Postribë, u evidentuan të kultivuara në tokë 1300 fidanë cannabis sativa dhe 137 fidanë të tjerë u evidentuan në kubikë, të gatshëm për t’u kultivuar në tokë. Fidanët narkotikë janë asgjësuar me anë të djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Falë veprimeve të shpejta operacionale, bazuar dhe në informacionet e siguruara, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin e 4 shtetasve si autorë kryesorë të dyshuar të këtyre tentativave për kultivimin e fidanëve narkotikë. 2 prej këtyre shtetasve janë vënë në pranga dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, konkretisht:
u arrestuan në flagrancë shtetasit M. L., 43 vjeç, banues në fshatin Limsh dhe B. F., 53 vjeç, banues në fshatin Vilzë, autorë të dyshuar të kultivimit të 350 fidanëve në tokë dhe 137 fidanëve në kubikë;
u shpallën në kërkim shtetasit L. F. dhe P. F. (babë e bir), pasi në territorin e banesës së vjetër të tyre, janë gjetur 950 fidanë të kultivuar në tokë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Megaoperacioni policor antikanabis “Alpe të pastra”, vijon./Limit.al