Një situatë aspak e këndshme u regjistrua teksa po luhej sfida Valencia-Real Madrid, në kampionatin spanjoll, teksa ndeshja u ndërpre për disa minuta.
Arsyeja e kësaj ndërprerjeje ishin ofendimet raciste të tifozëve vendas në drejtim të futbollisti të Real Madridit, Vinicius Junior.
Futbollisti brazilian ra preh e ofendimeve raciste, teksa disa tifozë në shkallët e ‘Mestalla’ thërrisnin në kor ‘Majmun’, në drejtim të sulmuesit madrilen.
Një situatë e turpshme duke qenë se nuk erdhi prej disa individëve, por prej një numri të madh tifozësh, teksa 22-vjeçari nuk mundi t’i mbante nervat dhe në fund u ndëshkua me karton të kuq.
Gjatë momentit kur tifozët nga shkallët e stadiumit po adreson ndaj tij kore rasiste, Vinicius u afrua afër tifozëve, pas portës të Valencias, dhe bëri me gisht në drejtim të tyre.
Gjyqtari e ndali lojën në ato momente, ndërsa lojtarët e Real Madridit dhe Vinicius protestuan për sjelljen e tifozëve vendas.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar vetë lojtari, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Vinicius Junior: Nuk ishte hera e parë, as e dyta, as e treta. Racizmi është diçka normale në La Liga. Federata hesht gjithashtu dhe kundërshtarët e inkurajojnë atë. Më vjen shumë keq. La Liga që dikur ishte e Ronaldinhos, Ronaldos, Cristiano-s dhe Messit, sot iu përket racistëve. Një komb i bukur, që më ka mirëpritur dhe që e dua, por që ka pranuar të eksportojë imazhin e një vendi racist në botë. Më vjen keq për spanjollët që nuk janë dakord me këtë gjë, por sot, në Brazil, Spanja njihet si një vend i racistëve. Dhe për fat të keq, për gjithçka që ndodh çdo javë, nuk kam asnjë mbrojtje. Jam i pikëlluar, por edhe i fortë që të luftoj kundër racistëve.
Não foi a primeira vez, nem a segunda e nem a terceira. O racismo é o normal na La Liga. A competição acha normal, a Federação também e os adversários incentivam. Lamento muito. O campeonato que já foi de Ronaldinho, Ronaldo, Cristiano e Messi hoje é dos racistas. Uma nação…
— Vini Jr. (@vinijr) May 21, 2023
Ndërkohë pas ndeshjes, reagoi edhe trajneri Ancelotti, duke thënë se kjo gjë është e turpshme dhe e papranueshme.
Carlo Ancelotti: Unë kurrë nuk kisha parë një stadium të tërë të shpërthejë në kore raciste. Kjo gjë është e turpshme dhe e papranueshme. Unë fola me të gjatë ndeshjes, sepse atmosfera ishte shumë e nxehtë dhe negative. E pyeta nëse donte të vazhdonte të luante. Nuk doja ta zëvendësoja për shkak të mjedisit racist. Nuk i kishte ndodhur kurrë, jo në këtë mënyrë. Liga spanjolle ka një problem që nuk është Vinicius. Ai është “viktima”.
Për sa i përket përballjes, Valencia arriti të triumfojë ndaj ‘galaktikëve’ me rezultatin 1-0. Autor i golit të vetëm ishte Diego Lopez në minutën e 33-të./Limit.al