Plakja është një proces të cilit i nënshtrohet çdo qenie humane apo frymor. Dhe një nga objektivat e shkencës është të jetë në gjendje të bëjë që kjo forcë e pashmangshme e natyrës të jetë një proces që mund të kontrollohet, rregullohet dhe modifikohet për të favorizuar jetëgjatësinë.

Sot është fantashkencë, por studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego po shkojnë në drejtimin e duhur.

Ekipi, i udhëhequr nga Profesor Nan Hao, ka identifikuar një qark kompleks rregullues të gjeneve. Ky qark kontrollon procesin e plakjes së qelizave.

Në studimin e botuar në “Science” thuhet se ekipi ka stimuluar një “proces inteligjent plakjeje” që ngadalëson përkeqësimin e qelizave. Për këtë u përdor biologjia sintetike. Studiuesit ndoqën procesin e plakjes së qelizave në majatë e njohura si “Saccharomyces cerevisiae”, të pranishme në bukë, birrë dhe verë.

Qelizat e majave të rilidhura në mënyrë sintetike jetuan 82% më gjatë se qelizat që plaken në rrethana normale. Ekipi i UC “San Diego” zbuloi se qelizat me të njëjtin material gjenetik dhe në të njëjtin mjedis mund të kalojnë nëpër rrugë të ndryshme plakjeje.

Rreth gjysma e qelizave plaken përmes një rënie graduale të stabilitetit të ADN-së (ku ruhet informacioni gjenetik). Gjysma tjetër plaket përgjatë një rruge të lidhur me rënien e mitokondrive, (njësitë e qelizave që prodhojnë energji).

Duke inxhinieruar një pajisje të ngjashme me orën, të quajtur oshilator gjenetik, ekipi ishte në gjendje të ndërronte periodikisht sistemin e maturimit të qelizës duke ngadalësuar degjenerimin e saj.

“Kjo është hera e parë që parimet e inxhinierisë dhe biologjisë sintetike të udhëhequra nga llogaritja janë përdorur për të ridizajnuar racionalisht qarqet gjenetike dhe riprogramuar procesin e plakjes. Kjo promovon në mënyrë efektive jetëgjatësinë,” tha profesori Nan Hao.

E thënë me fjalë më të thjeshta, zbulimi dëshmon se strategjitë shkencore për të vonuar plakjen, mund të modifikohen. / “Science” – Limit.al