Tentoi të vriste dy persona duke i shtypur me makinë, shpallet në kërkim 22-vjeçari nga Fieri

Policia ka zbardhur dinamikën e një ngjarjeje të ndodhur më 1 maj, në fshatin Sheqishtë të Patosit.
Fillimisht ngjarja u raportua si aksident me dy të plagosur.
Një 22-vjeçar nga Fieri u shpallur në kërkim, lidhur me këtë ngjarje, pasi tentoi të vriste duke përplasur me makinë dy personat, pas një sherri.
22-vjeçari Pavli Dafa dhe babai i tij u konfliktuan me 3 persona të tjerë, në datën 1 maj në fshatin Sheqishtë të Patosit.
Konflikti ndodhi për motive banale, por i riu nuk u mjaftua me kaq.
Ai mori makinën e tij dhe përplasi qëllimisht dy personat që ishte konfliktuar, të cilët ndodheshin jashtë makinës së tyre në momentin e përplasjes.
Pasi i përplasi dy personat, inatin e nxori edhe tek makina e tyre, të cilën e goditi me automjetin e vetë.
Në momentin e largimit nga vendi i ngjarjes, Pavli Dafa përplasi edhe një makinë tjetër që ndodhej rasësisht në rrugë.
Pasi makina e tij doli jashtë funksionit, 22-vjeçari u rikthye dhe vodhi makinën e njërit prej personave që e kishte përplasur më herët, përkatësisht të shtetasit E.SH.
Makina e vjedhur u gjet e braktisur në Fshatin Visolë të Mallakastrës.

Njoftimi i Policisë:

Fier/Zbardhet dinamika e një konflikti për motive të dobëta, të ndodhur midis disa shtetasve, në datë 01.05.2023, në fshatin Sheqishte, ngjarje e cila u raportua fillimisht si aksident rrugor.

Tentoi të vriste 2 shtetas duke i përplasur me automjet, si dhe goditi qëllimisht automjetin e tyre, shpallet në kërkim 22-vjeçari, i cili u largua nga vendngjarja me automjetin e të dëmtuarve.

Gjatë largimit, 22-vjeçari dëmtoi edhe një automjet tjetër të parkuar.

Si rezultat i hetimeve të thellura për një rast të përplasjes së disa automjeteve, në datë 01.05.2023, në fshatin Sheqishte, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve të DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, zbardhën dinamikën e këtij rasti, i cili u raportua fillimisht si aksident rrugor.

Në vijim të veprimeve të kryera për këtë ngjarje, u shpall në kërkim shtetasi P. D., 22 vjeç, banues në Patos, pasi nga hetimet paraprake dyshohet se më datë 01.05.2023, rreth orës 18:30, në fshatin Sheqishte, 22-vjeçari dhe babai i tij, shtetasi A. D., për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me shtetasit E. Sh., 26 vjeç, D. L., 30 vjeç dhe me një 15-vjeçar.

Pas konfliktit, dyshohet se shtetasi P. D. ka përplasur qëllimisht me automjetin që drejtonte, shtetasit E. Sh. dhe D. L. ( të cilët ndodheshin jashtë automjetit në momentin e përplasjes) dhe automjetin me të cilin udhëtonin këta shtetas, si dhe ka përplasur aksidentalisht edhe një automjet tjetër, të parkuar anash rrugës. Më pas dyshohet se shtetasi P. D. ka marrë automjetin e shtetasve të dëmtuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes.

Nga përplasja janë dëmtuar shtetasit E. Sh. dhe D. L., të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Automjeti i shtetasit E. Sh. u gjet nga Policia, i braktisur në fshtin Visokë, Mallakastër.
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe kërkimet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja”./Limit.al