Nëse dëgjoni emrin e Robert Aliaj me siguri mendja ju shkon tek thonjtë e lyer me manikyr të zi, syzet e veçanta dhe bastuni i tij, tre elemente shumë identifikuese të këngëtarit.
Ditën e djeshme Berti ka qenë i ftuar në emisionin “Rudina”, ku tregoi se arsyeja pse i lyen thonjtë në ngjyrë të zezë dhe ka të bëjë me patriotizmin.
Teksa diskutonin për lulen e shqiponjës, si një lloj identiteti në shtëpitë e shqitarëve, Roberti tregoi se prej kohësh mban unaza me shqiponjë dhe i lyen thonjtë me manikyr të zi si ngjyra e shqiponjës.
“Unë e kam një simbol shumë të rëndësishëm shqiponjën, kam dy unaza të cilat unë… po, dykrenare, e kam marrë shumë si simbolikë. Këto i mbaj gjithmonë, këto janë prototipe unazash. Unë i mbaj gjithmonë sepse nuk mund të mbaj unazë tjetër, por unë dua të them, ndoshta për herë të parë ose nuk e di në ka rënë rasti, që unë edhe thonjtë i asocioj me shqiponjën, pavarësisht se njerëzit i paragjykojnë thonjtë. Thoi është elementi më shqiptar që mund të imagjinojmë ne dhe ne si bastardë që jemi dhe ne nuk duam asgjë të trashëgojmë nga të parët tanë, shkelim çdo gjë me këmbë dhe e paragjykojmë dhe flasim para kohe”, u shpreh artisti.
Në këtë pikë moderatorja i kërkoi të mos përgjithësojë të gjithë shqiptarët. Por Roberti mbrojti me bindje mendimin e tij.
“Kam shumë revoltë sepse e kam pasur në kurriz. Gjëja më simbolike e shqiponjës është thoi ku është arma, pse themi shqiponja grabitqare? Ne si shqiptarë, thoin duhet ta kishim patjetër një sport nacional identitar siç kanë skocezët fundin. Edhe ne e kemi fundin, por e paragjykuam dhe e kemi hequr fare nga pazari se nuk e veshim dot, se përndryshe do na quajnë homoseksualë, nuk e di. Unë e vesh për vete por kam hallin e të tjerëve”, përfundoi Roberti./Limit.al