Për Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, Konferenca Kombëtare ‘Arritjet dhe Sfidat e Sportit në Shqipëri’ duhet të shërbejë jo vetëm për të vënë në dukje çfarë është arrirë, por edhe çfarë ka mbetur ende për t’u bërë për të përmirësuar çdo aspekt të sportit në vendin tonë. Duka prezantoi historikun dhe arritjet kryesore të futbollit në Shqipëri ndër vite, dhe shumë të rinj e të reja u informuan për aktivitetet që organizon Federata dhe investimet e mëdha në infrastrukturë.
Në fjalën e mbajtur gjatë konferencës Presidenti Duka tha se sporti shqiptar përballet sot me shumë sfida, ku në majë qëndron synimi për krijimin e kulturës sportive. Duke iu referuar studimeve në Shqipëri vetëm 3-4% e popullsisë ushtron sport në diferencë nga BE, ku mesatarja është 40%, shifra këto alarmante që kërkojnë ndërhyrje dhe veprime konkrete.
Më tej, numri një i qeverisë së futbollit bëri një pasqyrë të transformimit të futbollit pas viteve 90-të, sidomos në aspektin organizativ dhe duke rritur ndjeshëm numrin e kompeticioneve kombëtare krahasuar me tri dekada më parë.
“Sot që flasim, organizohen 23 gara kombëtare për djem, 3 gara kombëtare për vajza, kampionate Rajonale për djem e vajza si dhe kompeticione kombëtare për futbollin amator 5×5, 6×6 dhe 9×9 ku në total luajnë 22 mijë futbollistë profesionist, gjysmë profesionist dhe amator. Futbolli i vajzave është gjithashtu një hapësirë e rëndësishme në futbollin tonë, një prioritet i madh i Federatës. Edhe pse ka pak më shumë se një dekadë që ka nisur, numëron 2 mijë vajza që luajnë futboll në të gjithë vendin dhe falë projekteve e nismave që kemi ndërmarrë synojmë dyfishimin brenda dy viteve të ardhshme. Çdo fundjavë 1140 ekipe futbolli djemsh dhe vajzash të të gjitha niveleve luajnë futboll në gjithë territorin e vendit. Mbi 650 zyrtarë janë të angazhuar në mbarëvajtjen e ndeshjeve të futbollit. Mbi 100 mijë njerëz të përfshirë direkt krijojnë një ekonomi futbolli, që konsumon dhe kontribuon në ekonominë shqiptare”, theksoi Duka.
Gjithashtu, Presidenti i FSHF-së u ndal te investimet në infrastrukturë, teksa përmendi ndërtimin e veprave madhore si stadiumet “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi”, “Kukës Arenan”, “Air Albania Stadium”, kompleksin modern Shtëpia e Futbollit apo edhe shumë fusha të ndërtuara në të gjithë vendin./Limit.al