Dy alternativa reale të ndryshimit politik

Nga Blendi Kajsiu

Nevoja ulëritëse për ndryshim është një nga pikat ku bien dakord pjesa dërrmuese e qytetarëve. Pothuajse të gjitha sondazhet tregojnë se shumica e shqiptarëve janë pesimist për të ardhmen e vendit. Kjo reflektohet edhe tek largimi masiv i popullsisë, deri edhe me gomone.

Natyrisht kjo nuk do të thotë se qeverisja Rama është me keqja në 30 vitet e tranzicionit sikurse deklaron opozita berishiste. Nuk janë të pakta arritjet e qeverisjes aktuale. Përmirësim në infrastrukturë është i dukshëm, administrimi i Tiranës sot është shumë më i mirë se dje kur kryetar ishte Basha, bashkia e të cilit mbetet ende një mister. Kontrolli i territorit, rilindja urbane në disa qytete turistike si dhe modernizimi i qeverisjes nëpërmjet dixhitalizmit, ndonëse jo perfekt, janë të tjera arritje të qeverisjes aktuale që duhen vlerësuar dhe thelluar në të ardhmen.

E megjithatë, pavarësisht arritjeve të mësipërme, të cilave natyrisht mund ti shtoheshin të tjera, e vërteta e hidhur është se qeverisja aktuale nuk shënon ndonjë thyerje themelore me qeverisjet e mëparëshme apo me problematikën e tranzicionit shqiptar në përgjithësi. E thënë ndryshe, nuk ekziston “rilindja Rama” sikurse mendojnë shumë prej admiruesve të kryeministrit.

Pas 10 vitesh të qeverisjes Rama Shqipëria vazhdon të mbetet në vendet e fundit, në rajonin e fundit të Evropës, për sa i përket të ardhurave për frymë dhe nivelit të korrupsionit, në një pozicion të ngjashëm me vitin 2013 kur Rama erdhi në pushtet.

Tabela poshte. Të ardhurat për frymë në vitin 2013 dhe 2021 (në dollar amerikan)

Burimi: Banka Botërore: (lexo ketu)

Tek të ardhurat për frymë vazhdojmë të jemi vendi i parafundit në Ballkan, duke lënë pas vetëm Kosovën. Jemi pra në të njëtin pozicion që ishim në vitin 2013. Ndërkohë për nivelet e korrupsionit vazhdojmë të kryesojmë në Ballkan duke lënë pas edhe Kosovën.

Tabela poshte. Indeksi i Perceptimit të korrupsionit, 2021

Kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk është zhvilluar gjatë qeverisjes Rama. Ama nuk kemi të bëjmë me ndonjë mrekulli zhvillimore që e dallon atë nga qeveritë e mëparëshme, të paktën për sa i takon të ardhurave për frymë. Shiko Tabelën 3.

Tabela poshte. Krahasimi i rritjes së PPB-së, (Prodhimi i Përgjithshëm Bruto) për kokë mes qeverive Berisha dhe Rama (në dollar amerikanë)

Burimi: Banka Botërore: (lexo ketu)

Rritja e PPB-së gjatë 8 viteve të qeverisë Rama është pak më e vogël se ajo e qeverisë Berisha si pasojë e pandemisë covid, përndryshe ka shumë mundësi që në të dy periudhat e qeverisjes të kishim ritme identike të rritjes së të ardhurave për frymë.

Natyrisht në këtë pikë mbështetësit e kryeministrit do më thonë se Rama është shumë më mirë se Berisha dhe Meta. Se ai nuk të vret në shesh kur proteston. Ndërkohë që korrupsioni i qeverisjes aktuale nuk është as bërthomor dhe as me bllok në dorë si ai i Berishës dhe Metës.

E megjithatë arësyetimi mësipërm nuk mund të fshehë faktin se qeverisja aktuale vuan nga të gjitha simptomat e rënda të tranzicionit shqiptar. Korrupsioni, keq-qeverisja, autoritarizmi, dhe kapja e shtetit, që kanë qenë prezent në të gjitha qeveritë e mëparëshme, jo vetëm vazhdojnë, por janë thelluar.

Llogjika e marrëdhënies së ekzekutivit me pronarët biznesmen të mediave është identike si në qeverisjet e mëparëshme. Nëse i shërben ekzekutivit mund të jesh mbi ligjin dhe të lejohen shkelje që një qytetar të thjeshtë do ta çonin në burg. Nëse përplasesh me Maliqin atëherë je nën ligjin dhe nuk të respektohen as disa të drejta bazë që i njihen edhe qytetarit të thjeshtë. Ky ishte rasti i përplasjes mes qeverisë Rama dhe biznesmenit Hysenbelliu prona e të cilit u shkatërrua në mënyrë flagrante pa pritur as vendimin e gjykatës.

Po kështu administrata publike shqiptare, që është vetë shpirti i shtetit, nuk është aspak më transparente dhe më meritokratike sot sesa dje. Ajo vazhdon të jetë thellësisht e politizuar. Reduktimi i ekzekutivit, i administratës publike dhe i legjislativit në një zgjatim të egos së kryeministrit është theksuar më shumë se kurrë. Për të kuptuar këtë mjafton të shikosh se tek Partia Socialiste sot nuk mbijnë më politikanë, por vetëm adhurues të shefit./Lapsi.al