Nuk është ekzagjerim të thuash se shumica e shqiptarëve sot nuk e dinë vendndodhjen e Krajës dhe as simbolikën e saj në kulturën shqiptare. Të mërkurën e kësaj jave që lëmë pas shoqata “Krahë që Bashkohen” udhëtoi drejt Krajës, kësaj vatre tradicionale shqiptare në Malin e Zi, për t’i dhuruar një sasi librash shqip bibliotekës së shkollës fillore të rajonit që mban emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Kraja ndodhet vetëm pak kilometra tej kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi, në pjesën jugore të Liqenit të Shkodrës. Delegacioni i “Krahë që Bashkohen”, në përbërje të të cilit qe edhe Drejtori Ekzekutiv, Arbër Lushaj, megjithatë u detyrua të bënte një rrugë të gjatë, pasi librat për në Malin e Zi lejohet të kalojnë vetëm nga dogana e Hanit të Hotit.
Një mundim që ia vlen, jo vetëm ngaqë ato disa orë rrugë kalojnë përgjatë një natyre ku kombinohen bukuritë e malit me ato të liqenit, por sepse në fund të tyre arrin në Krajë, prej nga kemi librin e parë të shkruar në gjuhën shqipe, “Mesharin” e Gjon Buzukut.
Në shkollën e Krajës delegacioni u prit nga autoritetet arsimore, drejtori dhe mësuesit, të cilët morën në dorëzim ngarkesën me libra. 500 prej këtyre librave u dhuruan nga fondi personal i bibliotekës së filantropit shqiptaro-amerikan Ramiz Tafilaj, ndërkohë që “Krahë që Bashkohen” dhuroi mbi 200 tituj të tjerë.
Më tej, delegacioni bëri një vizitë në të gjitha ambientet e shkollës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe u informua për problematikat e funksionimit të shkollës, por edhe ato të rajonit të Krajës më gjerësisht. Drejtori Ekzekutiv Lushaj ftoi drejtorin dhe disa prej mësuesve të shkollës të marrin pjesë në Kuvendin Kombëtar të Alpeve që do të zhvillohet në Ulqin në fund të muajit prill./Limit.al