Inter me një këmbë në gjysmëfinale, Manchester City “shuplakë” Bayern Munich

Inter hedh një hap të rëndësishëm drejt gjysmë-finales së Champions League. Zikaltërit triumfuan në ndeshjen e parë çerek-finale ndaj Benficës në Portugali, me rezultatin 0-2. Skuadra e Simone Inzaghit u tregua cinike dhe pragmatiste, duke shfrytëzuar rastet e krijuara në këtë takim, e duke u mbrojtur mjaft mirë, ndaj një kundërshtari që krijonte volum loje dhe mundësi të shumta për shënim. Pjesa e parë u mbyll pa gola.

Në të dytën Inter gjen golin e avantazhit në minutën e 51-të, me Nicolo Barella. Mesfushori italian me realizimin ndaj portugezëve vendosi edhe dy rekorde personale. Goli i shënuar me kokë, ishte i pari i realizuar për të me fanellën e Inter-it, në të gjitha kompeticionet. Ky ishte gjithashtu goli i 7-të për 26-vjeçarin, në sezonin 2022/23. Kurrë më parë në karrierën e tij, Barella nuk kishte shënuar më shumë gola.

Në minutën e 81-të, gjyqtari i takimit, i ndihmuar edhe nga VAR, akordon një 11-metërsh për milanezët, për prekje të topit me dorë nga Joao Mario. Goditjen e penalltisë e merr përsipër Romelu Lukaku, që nuk gabon dhe çon topin në fundit e rrjetës.

Gjithçka mbyllet 0-2 dhe Inter është me një këmbë pranë kualifikimit.

Manchester City i dha një shuplakë Bayern-it të Mynihut, duke i mposhtur me rezultatin 3-0, në ndeshjen e parë të fazës çerek-finale të Uefa Champions League. ‘The citizens’ me këtë triumf pothuajse kanë prerë biletën për në 4 skuadrat më të mira të Europës. Ndeshja e zhvilluar në ‘Etihad Stadium’ foli tërësisht për anglezët, ndaj një kundërshtari që edhe pse pati zotërimin e topit, nuk arriti të krijonte raste të rrezikshme për shënim. Pjesa e parë ishte e luftuar nga të dyja skuadrat, por që u mbyll me golin spektakolar të shënuar nga Rodri, në minutën e 27-të. Mesfushori spanjoll lëshoi goditje perfekte në trekëndëshin e djathtë të portës së mbrojtur nga Sommer.

Bavarezët u treguan të pafuqishëm për të reaguar në pjesën e dytë, duke pësuar edhe dy herë të tjera.

Fillimisht Bernando Silva shënoi në minutën e 70-të një gol me kokë, duke shfrytëzuar mjaft mirë një asist të Haaland.

Pas vetëm 6 minutash, ishte radha e vetë Haaland të realizonte. Norvegjezi vulosi takimin me golin e 3-të për skuadrën e Guardiolës. Me golin e shënuar ndaj Bayern, 22-vjeçari vendosi edhe një rekord të ri. Haaland realizoi golin e 34-t në këtë turne, duke e bërë këtë gjë në vetëm 26 paraqitje.

Ndeshja përfundon 3-0 në favor të Manchester City-t, që hedhin një hap të sigurt drejt kualifikimit./Limit.al