Duhani është vdekjeprurës në çdo formë. Produktet e duhanit të tymosur përfshirë edhe tymosjen në shisha, përmbajnë mbi 7000 kimikate, së paku 250 kimikate të njohura si toksike ose që shkaktojnë kancer. Përdorimi i produkteve të duhanit pa tym mund të rezultojë në probleme serioze, ndonjëherë fatale shëndetësore. Ekspozimi pasiv në tym të duhanit është gjithashtu shkaktar i përkeqësimit të gjendjes shëndetësore përfshirë edhe vdekjen. Produktet e reja të duhanit përmbajnë kimikate të ngjashme me produktet tradicionale të duhanit dhe janë të dëmshme për shëndetin. Duhanpirësit gjatë gjithë jetës humbin mesatarisht të paktën 10 vjet jetë. Globalisht, mbi 22 000 njerëz vdesin nga përdorimi i duhanit ose ekspozimit pasiv ndaj tymit të duhanit çdo ditë një person çdo 4 sekonda. Përdorimi i duhanit prek pothuajse të gjitha organet e trupit të njeriut. Disa nga efektet shëndetësore janë përshkruar më poshtë nga koka te këmbët:

  • SULMI NË ZEMËR, GODITJE NË TRU DHE SËMUNDJET TJERA KARDIOVASKULARE

Një në tre vdekje në mbarë botën i atribuohet sëmundjeve kardiovaskulare. Përdorimi i duhanit dhe ekspozimi pasiv ndaj tymit të duhanit janë kontribuesit kryesorë, duke shkaktuar rreth 3 milionë vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare globalisht çdo vit. Duhanpirësit kanë deri në dyfishin e rrezikut të goditjes në tru dhe katërfish më shumë rrezik për sëmundje të zemrës. Tymi i duhanit dëmton arteriet e zemrës, duke shkaktuar formimin e pllakave dhe zhvillimin e mpiksjes së gjakut, duke kufizuar rrjedhën e gjakut dhe përfundimisht çon në sulm në zemër dhe goditje në tru . Rrjedha e kufizuar e gjakut, nëse nuk trajtohet, mund të çojë në gangrenë (vdekje të indeve të trupit) dhe amputim të zonave të prekura. Goditja në tru, sëmundjet e zemrës, bartin rrezik të lartë të vdekjes dhe të mbijetuarit nga goditja në tru mund të përjetojnë gjendje të rënda paaftësie, si paraliza, humbja e shikimit ose të folurit. Pirja e duhanit është e dëmshme, pavarësisht nga sasia e përdorimit. Ata që pinë vetëm një cigare në ditë kanë gjysmën e gjasave për të zhvilluar sëmundje të zemrës dhe goditje në tru, krahasuar me ata që pinë 20 cigare në ditë. Megjithatë, nuk është vetëm pirja e duhanit dhe ekspozimi pasiv ndaj tymit të duhanit ajo që rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Përdorimi i produkteve të duhanit pa tym gjithashtu rrit rrezikun e vdekjes për shkak të atakut në zemër ose goditjes në tru.

  • KANCERI I GOJËS DHE SËMUNDJET TJERA TË GOJËS

Përdorimi i duhanit është përgjegjës për një numër të konsiderueshëm të sëmundjeve orale. Të dyja format dihet se shkaktojnë kancer të gojës . Në shumë vende, gjasat për të mbijetuar më shumë se pesë vjet pas një diagnoze të kancerit oral janë të ulëta. Ata që i mbijetojnë kancerit oral shpesh përjetojnë deformim të konsiderueshëm të fytyrës dhe humbasin aftësinë për të folur, gëlltitur ose përtypur. Përdorimi i duhanit gjithashtu rrit rrezikun e sëmundjes periodontale, sëmundje inflamatore kronike që dëmton mishrat e dhëmbëve dhe shkatërron kockën e nofullës, duke çuar në humbjen e dhëmbëve. Pirja e duhanit dhe përdorimi i produkteve të duhanit pa tym ndërhyjnë në kiminë e gojës, duke krijuar pllaka të tepërta dhe zverdhje të dhëmbëve dhe duke shkaktuar erë të keqe.

  • KANCER NË MUSHKËRI

Duhanpirësit kanë deri në 22 herë më shumë gjasa të zhvillojnë kancer të mushkërive gjatë jetës së tyre sesa jo duhanpirësit. Pirja e duhanit është shkaku kryesor i kancerit të mushkërive, duke shkaktuar mbi dy të tretat e vdekjeve nga kanceri i mushkërive në nivel global dhe duke marrë afërsisht 1.2 milion jetë çdo vit. Jo duhanpirësit të ekspozuar në mënyrë pasive ndaj tymit në shtëpi ose në vendin e punës janë gjithashtu në rrezik të zhvillimit të kancerit të mushkërive.

  • ASTMA

Dihet se pirja e duhanit përkeqëson astmën tek të rriturit, duke kufizuar aktivitetin e tyre, duke kontribuar në paaftësi dhe duke rritur rrezikun e astmës së rëndë që kërkon kujdes shëndetësor urgjent. Fëmijët e moshës shkollore të prindërve që pinë duhan janë të ekspozuar në mënyrë pasive ndaj efekteve të dëmshme të tymit të duhanit dhe janë në rrezik të shfaqjes dhe përkeqësimit të astmës si pasojë e inflamacionit të rrugëve të frymëmarrjes.

  • TUBERKULOZI

Rreth një e katërta e popullsisë në botë ka tuberkuloz latent (heshtur), të cilët janë në rrezik të zhvillimit të sëmundjes aktive. Pirja e duhanit dyfishon rrezikun e shndërrimit të tuberkulozit nga gjendja latente në gjendje aktive, dhe dihet gjithashtu përshpejton përparimin natyror të sëmundjes. Përveç kësaj, ekspozimi pasiv ndaj tymit të duhanit mund të rrisë rrezikun e përparimit nga infeksioni i tuberkulozit në sëmundje aktive. Tuberkulozi dëmton mushkëritë, duke shtuar reduktimin e funksionit të mushkërive të shkaktuar nga pirja e duhanit dhe rrit rrezikun e paaftësisë së konsiderueshme dhe vdekjes nga dobësimi i frymëmarrjes.

  • DIABETI I TIPIT 2

Rreziku i zhvillimit të diabetit është më i lartë tek duhanpirësit dhe ky rrezik shtohet me rritjen e numrit të cigareve të pira në ditë. Gjithashtu shoqërohet edhe ekspozimi pasiv ndaj tymit të duhanit me diabetin e tipit 2.

  • KOCKAT E DOBËTA

Monoksidi i karbonit, gazi kryesor helmues në tymrat e shkarkimit të automjeteve dhe tymin e duhanit, lidhet me hemoglobinën në gjak më lehtë se sa oksigjeni, duke reduktuar shpërndarjen e oksigjenit në indet e trupit. Duhanpirësit kanë më shumë gjasa të humbasin densitetin e kockave, të frakturohen më lehtë dhe të përjetojnë komplikime serioze, siç është shërimi i vonuar ose dështimi për t’u shëruar.

  • DËMTIMI I LËKURËS

Pirja e duhanit rrit rrezikun e zhvillimit të psoriasis, gjendje inflamatore jo ngjitëse e lëkurës që shkakton kruarje, duke shkaktuar njolla të kuqe në të gjithë trupin. Pirja e duhanit plakë para kohe lëkurën duke hequr proteinat që i japin lëkurës elasticitet, duke e varfëruar atë nga vitamina A dhe duke kufizuar rrjedhjen e gjakut. Duhanpirësit kanë më shumë gjasa të kenë lëkurë të thatë, dhe të rrudhosur,sidomos rreth buzëve dhe syve.

//WorldHealthOrganization

//Limit.al