Sedloski e nis me këmbën e mbarë te Vllaznia, Laçi “përmbyt” Durrësin në “Niko Dovana”

Vllaznia arriti një fitore tepër të rëndësishme, në garë për një vend në kupat e Europës për sezonin e ardhshëm. Shkodranët mposhtën Erzenin me rezultatin 3-1. Ndeshja e luajtur në ‘Loro Boriçi’ u dominua nga vendasit, të cilët kaluan të parët në avantazh me një gol fantastik nga jashtë zone të Herald Markut.

Kuqeblutë dyfishuan rezultatin në minutën e 53 me Liridon Latifin. Shijakasit ngushtuan shifrat në të 75-ën me Nonato. Jonuzi vulosi fitoren e Vllaznisë në minutën e 80, duke realizuar edhe golin e tretë për skuadrën e tij.

Një nisje me këmbën e mbarë, në krye të pankinës shkodrane për trajnerin e ri Goce Sedloski, që debuton kështu me një triumf në Superligën shqiptare.

 

Në ndeshjen tjetër të ditës së dielë, Laçi përmbys Teutën, duke fituar në Durrës me shifrat 1-2. Të parët që kaluan në avantazh ishin durrsakët, që realizuan me Dacin në minutën e 65. Kurbinasit vendosën baraspeshën 11 minuta më pas, falë një penalltie të kthyer në gol nga Guindo. Për golin e përmbysjes së madhe mendoi Vasil Shkurtaj, i cili çoi topin në fundin e rrjetës në minutën e fundit të kohës së rregullt./Limit.al