Nga kujtimet e shqiptarëve të larguar prej më shumë se një shekulli thuhet se Naum Konzha nga Gjirokastra ka qenë i pari, ose ndër të parët shqiptarë që ka mbërritur në Australi në vitin 1870.
Më pas mbërritën edhe emigrantë të tjera, sepse siç zakonisht ndodhte emigrantët ndihmonin njëri-tjetrin dhe tërhiqnin edhe familjet e tyre. Komuniteti u shtua dhe u shumua. Sot shqiptarët janë të integruar në jetën e vendit dhe gëzojnë të njëjtin status juridik si të gjitha pakicat e tjera etnike që jetojnë dhe punojnë atje.
Në Viktoria janë hapur katër shkolla të gjuhës shqipe në disa zona. Shteti australian financon mësimin e gjuhës plotësuese me kurse të zhvilluara një herë në javë, por kjo mundësi nuk është shfrytëzuar sa duhet nga shtetasit shqiptarë. Kjo ka ndodhur, sepse nuk është arritur numri i mjaftueshëm i nxënësve, pavarësisht se mundësitë dhe kushtet për zhvillimin e mësimit janë krijuar.
Para pak vitesh tri shkolla të gjuhës shqipe janë mbyllur. Prindërit shqiptarë nuk tregojnë një interes të lartë për tí mësuar fëmijëve gjuhën amtare. Për shembull në Greqi jetojnë shumë shqiptarë dhe gjuha shqipe sipas shifrave duhet të ishte gjuhë e dytë, por pavarësisht se ekzistojnë shumë shkolla mungon interesi. Gjithashtu edhe në Turqi, ku pjesa më e madhe e shqiptarëve të emigruar shekuj më parë pothuajse janë asimiluar.
Vala tjetër e emigrimit në Australi ishte në vitin 1960 kryesisht shqiptarë nga Maqedonia, Kosova dhe Mali I zi. Vala tjetër e emigrimit ishte sërish nga Kosova në vitin 1990. Më pas edhe shqiptarë të tjerë emigruan në vitin 1990.
Sipas të dhënave të mbledhura nga komunitetet shqiptare llogaritet se në Australi janë rreth 20 mijë shqiptarë.
Babai i profesorit të njohur në Australi në shkencat e mjekësisë, Avni Sali emigroi nga Voskopoja e Korçës. Profesor Avni Sali ka lindur në Sheparton, por ndihet shqiptar. Karriera e tij është shumë e larmishme dhe ai është një ndër shqiptarët më të suksesshëm në Australi.
Avni Sali u emërua si profesor dhe u bë Dekan Themelues i Shkollës së Lartë të Mjekësisë Integruese në Universitetin e Teknologjisë Swinburne (Melburn) nga viti 1996 deri në mbylljen e tij në 2005.
Në 2005, Sali themeloi Institutin Kombëtar të Mjekësisë Integruese (NIIM), një “organizatë jo fitimprurëse që kryen kërkime dhe mësimdhënie në Mjekësinë Integruese”.
Gjithashtu më parë nga viti 1983, Sali ka qenë në bordin e drejtorëve të “Gawler Cancer Foundation”, themeluar nga Ian Gawler. Ai shërbeu si president midis 1999 dhe 2002. Ai është gjithashtu president i Këshillit Ndërkombëtar të Mjekësisë Integruese.
Në 1992, Sali bashkë-themeloi Shoqatën Australasian Integrative Medicine (AIMA), ku shërbeu dy vjet si president dhe kaloi vitet e mbetura si anëtar bordi.
Në vitin 2009, Sali u emërua profesor nderi në Universitetin e Queensland. Që nga viti 2013 ai është profesor në Institutin Cairnmillar në Melburn./ Marrë nga “Thesari”./ KultPlus.com