Dita Ndërkombëtare e Romëve, Kurti dhe Osmani mesazhe urimi: Vlerësojmë kuntributin tuaj në Kosovë

KOSOVË– Në Ditën Ndërkombëtare të komunitetit rom udhëheqësit më të lartë të Kosovës kanë uruar anëtarët e këtij komunitetit që jetojnë e punojnë në Kosovë. Përmes një njoftimi të bërë publik për mediat nga zyra e kryeministrit Albin Kurti thuhet se qeveria ka hartuar Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026 dhe se është e përkushtuar që që të gjithë qytetarët të mos ndihen të diskriminuar.

Po ashtu bëhet me dije se qeveria ndër vite ka themeluar Ekipin Ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

NJOFTIMI I QEVERISË SË KOSOVËS:

‘’Qeveria jonë është e përkushtuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim. Prandaj kemi punuar dhe angazhohemi vazhdimisht bashkërisht për të drejta të barabarta individuale dhe kolektive të përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve. Me këtë synim së bashku kemi hartuar Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026, si dhe kemi lansuar Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. Ndërsa 100 të rinjve, me prioritet atyre nga komunitetet joshumicë,  iu është dhënë mundësia për praktikë 6 mujore me pagesë në institucionet qeveritare. Kemi filluar edhe zbatimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, Superpuna, andaj i inkurajoj të gjitha të rejat dhe të rinjtë nga komuniteti rom, që të aplikojnë në këtë platformë’’.

Në këtë ditë një mesazh urimi ka ardhur dhe nga presidentja Vjosa Osmani. Përmes një postimi në rrjetet sociale Osmani ka uruar komunitetin rom në ditën ndërkombëtare të tyre dhe shprehet se vlerëson kuntributin e dhënë prej tyre në Kosovë.

POSTIMI I VJOSA OSMANIT:

”Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ne festojmë kulturën e pasur, historinë dhe arritjet e komunitetit tonë rom dhe vlerësojmë kontributin e tyre të vazhdueshëm në Kosovë”./Limit.al