Trafiku global i udhëtimit ajror pritet të rritet edhe gjatë vitit 2023

Gjatë vitit 2022 trafiku global i udhëtimeve ajrore u rrit në pothuajse gjysmën e nivelit të periudhës përpara pandemisë, sipas të dhënave të publikuara të hënën nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA).

Që në fillimet e pandemisë, linjat ajrore përjetuan një rënie të madhe të udhëtimeve në vitin 2020 dhe 2021, dhe humbën dhjetëra miliarda dollarë. Fitimet filluan të rikthehen në vitin 2022 ndërsa trafiku ajror filloi të rikthehet.

Trafiku global u rrit në vitin 2022 duke arritur deri në 68.5% të nivelit përpara pandemisë, ndërkohë që në vitin 2021 kishte arritur në 64.4%.

Në vitin 2022, trafiku ndërkombëtar u rrit me 152.7% krahasuar me vitin 2021. Edhe udhëtimet ajrore brenda vendit u rritën me 10.9% krahasuar me vitin e kaluar dhe arriti në 79.6% të nivelit përpara pandemisë.

Kina hapi kufijtë e saj rishtazi, më 8 janar, pas gati tre vitesh. Analistët theksojnë se rimëkëmbja e plotë deri në nivelin e periudhës përpara pandemisë do të varet nga sa shpejt do të mund të rikthehet udhëtimi nga dhe drejt Kinës.

Willie Walsh, drejtor i përgjithshëm i IATA-s, shpreson se trafiku ajror do të vazhdojë të rritet edhe gjatë vitit 2023.

Logoja e Shoqatës Ndërkombëtare të Udhëtimit Ajror (IATA)
Logoja e Shoqatës Ndërkombëtare të Udhëtimit Ajror (IATA)

“Ky sektor është tani shumë më i fortë se në fillimet e vitit 2022, ndërsa shumica e qeverive hoqën kufizimet e udhëtimit që kishin vendosur gjatë vitit dhe njerëzit shfrytëzuan rikthimin e lirisë së tyre për të udhëtuar. Kjo tendencë pritet të vazhdojë gjatë këtij viti, megjithë reagimin e tepruar të disa qeverive ndaj rihapjes së Kinës”, tha ai.

“Është jetike që qeveritë të nxjerrin mësimin se kufizimet ndaj udhëtimit dhe mbylljet e kufijve kanë ndikim të pakët pozitiv për sa i përket ngadalësimit të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse në botën tonë të ndërlidhur globalisht”.

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencia e lajmeve Reuters.