Nga Dr. FATON BISLIMI – Kanada
Antar Ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ish deputet i Kuvendit të Kosovës (LDK)
Dje, në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, pata nderin të pritem nga Ambasadori i SHBA-ve z. Jeffrey Hovenier, në një takim sa të veçantë aq edhe mbresëlënës dhe miqësor.
Të nderohesh nga Shtetet e Bashkuara, përtej nderit, është inkurajim për punë e angazhim tutje. Nga Ambasadori Hovenier zyrtarisht pranova Flamurin e Shtetit të Teksasit të valëvitur mbi Kupolën e Kongresit të Shtetit në nder timin, bashkë me Certifikatën e Mirënjohjes së Dhomës së Përfaqësueseve të Teksasit, me këtë dedikim: “për punën time në forcimin e lidhjeve në mes Teksasit dhe Kosovës,” pikërisht në 20 vjetorin e angazhimit tim të parë në Teksas si student. Një nga punët që më së shumti më plotësojnë shpirtin është se në Teksas kisha aranzhuar programin e bursave “Education for Peace” përmes së cilit me dhjetëra student meritorë nga Kosova janë shkolluar aty dhe mandej kanë bërë emër të madh në krejt SHBA-të.
Po ashtu, ky nderim i jashtëzakonshëm, është vlerësim edhe i punës sime për gati dy dekada në lobim e angazhim për kauzën tonë kombëtare me figurat më të larta politike të SHBA-ve, në Capitol Hill. Për mua, ky angazhim vazhdon të jetë udhërrëfyes i punës së mbarë e të mirë për vendin e kombin.
Miqësia jonë me SHBA-të është jo vetëm unike por duhet të jetë edhe permanente. Është shtylla kurrizore e avancimit tonë si shtet e komb.