Rrjeti social “Twitter” ka hequr dorë nga politika që kishte për qëllim ndalimin e dezinformatave në lidhje me virusin “COVID-19”. Kjo ka nxitur shqetësimin se ky rrjet social do të ekspozohet ndaj pretendimeve të rreme për virusin “Covid-19” sidomos tani kur rastet po shtohen në Kinë dhe disa pjesë të botës.
Vendimi vjen gjithashtu mes shqetësimeve për aftësinë e “Twitterit” për të luftuar dezinformimin pasi pronari i ri, Elon Musk largoi nga puna rreth gjysmën e stafit, duke përfshirë edhe ata që kontrollonin përmbajtjen e publikimeve.
“Duke filluar nga data 23 nëntor 2022, Twitter nuk po zbaton më politikën kundër informacioneve të rreme për ‘COVID-19’”, u tha në njoftimin e “Twitterit”.
Nuk është ende e qartë se prej cilave masave saktësisht po heq dorë “Twitteri” ndërsa kompania nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për të më shumë detaje.
Në fillimin e pandemisë së virusit “COVID-19” më 2020, “Twitteri” ndërmori një sërë masash përfshirë mesazhe paralajmëruese ndaj publikimeve që konsideroheshin se kanë përmbajtje të diskutueshme rreth krizës shëndetësore.
“Twitteri” gjithashtu kishte një kornizë për t’i detyruar përdoruesit të fshinin publikimet që përhapnin pretendime të rreme dhe të dëmshme në lidhje me vaksinat kundër “Covid-19”.
Edhe rrjete të tjera sociale si “YouTube”, “Google”, “Meta”, “Facebook” dhe “Alphabet”, të gjitha në pronësi të “Meta Platforms”, përdorën masa të ngjashme, të cilat janë aktualisht në fuqi.
Në fillim të këtij viti, “Twitter” tha se nga marsi i vitit 2021 kishte ndaluar zbatimin e “politikës së integritetit qytetar” në lidhje me gënjeshtrat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA.
Miliarderi Musk mori drejtimin e “Twitterit” më 27 tetor, duke paguar 44 miliardë dollarë për blerjen e kompanisë dhe menjëherë ka nisur një sërë ndryshimesh. Zoti Musk tha të martën se do të themelojë një këshill për moderimin e përmbajtjes së publikimeve i përbërë nga njerëz me “pikëpamje shumë të ndryshme”.