“E përsëris, është absurde që të rrezikohet përshkallëzimi i situatës për shkak të targave”, ka thënë ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Ai shkroi në Twitter është mirë që përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, ka më shumë kohë që të punojë me palët për të gjetur një zgjidhje.
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas mesnate vendosi ta shtyjë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Faza e dytë ka paraparë shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me targa të tilla.
Para shtyrjes së vendimit, Policia e Kosovës kishte planifikuar që vendimin për gjobat ta zbatonte nga mëngjesi i 22 nëntorit.
Faza e parë ka paraparë qortimin, e dyta parasheh gjobën dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.
Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Më 21 nëntor, takimi në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, rezultoi pa marrëveshje.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.