Në prag të takimit të javës së ardhshme mbi ndryshimet mjedisore “COP27” që do të zhvillohet në Egjipt, ka shqetësime se agresioni rus në Ukrainë ka dëmtuar përparimin në trajtimin e problemeve të mjedisit. Por, siç raporton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, disa thonë se lufta mund të ketë ndikim pozitiv në periudhë afatgjate.

Sulmi i Rusisë në Ukrainë ka nxitur tensionet gjeopolitike globale dhe ndikimi i saj nuk përfundon në fushën e betejës.

Përparimi në trajtimin e ndryshimeve klimatike nga konferenca e vitit të kaluar në Skoci, ka marrë goditje, thotë analisti Antony Froggatt.

“Një pjesë e vullnetit të mirë si krijimi i koalicioneve të mëdha dhe iniciativat dypalëshe si SHBA-ja dhe Kina që propozuan një program të ri pune për të trajtuar ndryshimet mjedisore, është zhdukur. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Rusinë. Ne shohim se Kina është tërhequr nga marrëveshja me SHBA-në si rezultat i tensioneve rreth Tajvanit. Pra, në një numër fushash, gjeopolitika nuk është aq pozitive”, thotë analisti i Institutit “Chatham House”, Antony Froggatt.

Shkencëtarët thonë se lufta në Ukrainë nuk duhet të bëjë që bota të harrojë urgjencën mjedisore.

“Ne duhet të jemi në gjendje të përballemi me kriza të shumta. E vërteta është se lufta në Ukrainë dhe problemet me furnizimin me naftë dhe gaz, kanë krijuar mundësinë për të investuar në energjinë e pastër dhe të gjelbër. Kjo është ajo që bota duhet të bëjë tani”, thotë Inger Andersen, Drejtoreshë Ekzekutive e Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tha javën e kaluar se lufta në Ukrainë do të përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së gjelbër.

“Reagimet qeveritare në mbarë botën rreth krizës energjetike, me sa po shohim, premtojnë të jenë një pikë kthese në historinë e prodhimit të energjisë. Kjo krizë me të vërtetë do të përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së pastër”, thotë Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol.

Ky tranzicion, megjithatë duket se ka bërë një hap prapa. Shumë vende evropiane kanë rindezur termocentralet me qymyr, pasi Rusia ndaloi dërgesat e gazit.

“Ka një boshllëk furnizimi afatshkurtër që duhet të plotësohet. Por, për sa kohë që nuk ka investime të mëdha në lëndët djegëse fosile, atëherë ne duhet ta bëjmë këtë lëshim. Ne shpresojmë që, në një periudhë afatmesme dhe afatgjate, të shohim një përshpejtim të dekarbonizimit si rezultat i luftës në Ukrainë”, vlerësoi më tej analisti i “Chatham House”, Antony Froggatt.

Sulmi rus ka nxitur gjithashtu një krizë ekonomike globale me inflacionin në rritje dhe recesione që po afrojnë.

“Vëmendja që udhëheqësit globalë po i kushtojnë ndryshimeve mjedisore është zvogëluar. Unë mendoj se do të rritet ndërgjegjësimi për gjendjen e vështirë ekonomike pasi shumë vende janë në prag të recesionit duke e bërë financimin më të vështirë”, tha zoti Froggatt.

Momenti politik rreth bisedimeve për mjedisin mund të ketë ngecur. Por, ka shpresë se pushtimi rus i Ukrainës do t’i shtyjë vendet t’i japin fund mbështetjes së tyre për lëndë djegëse me bazë fosile që dëmtojnë mjedisin.