Udhëheqësit e më shumë se 40 vendeve do të mblidhen të enjten dhe të premten në Pragë, kryeqytetin e Republikë Çeke, për të jetësuar “Komunitetin Politik Evropian”, që synon të rrisë sigurinë dhe përparimin ekonomik në të gjithë kontinentin, pavarësisht nga pretendimet e kritikëve se forumi i ri është një përpjekje për të frenuar zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Nismëtar i takimit në Pragë ishte presidenti francez Emmanuel Macron me mbështetjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Nisma pasoi trysninë politike në rritje për t’i mundësuar Ukrainës anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa Rusia ka hyrë në muajin e tetë të agresionit kundër fqinjit të saj.
“Ukraina, për shkak të luftës dhe guximit të saj, është tashmë një anëtare e Evropës, e familjes sonë, e bashkimit tonë. Por edhe nëse do t’i jepnim statusin e vendit kandidat nesër, procesi ka filluar dhe shpresoj të ecim shpejt përpara drejt pranimit”, tha presidenti Macron në një fjalim në muajin maj.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, tha në muajin qershor se çështja është të arrijmë t’i krijojmë kushtet e nevojshme për të nisur këtë rrugë kërkuese për Ukrainën. Dhe në të njëjtën kohë, ka të bëjë edhe me ne që të kuptojmë se duhet të jemi të përgatitur për t’u zgjeruar”.
Por edhe me rrjedhën e mbështetjes për Ukrainën, qoftë me armë për ushtarët e saj ose strehimin e atyre që ikin, presidenti Macron argumentoi se “procesi për anëtarësim do të zgjas disa vjet”.
“Në fakt do të mund të duhen disa dekada. Dhe kjo është e vërteta. Përveç nëse nuk vendosim të ulim standardet për pranim dhe të rimendojmë unitetin e Evropës sonë dhe gjithashtu pjesërisht edhe parimet të cilave u përmbahemi”, tha ai.
Plani i tij, që do të përfshijë 44 vende, duke përfshirë 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, vendet aspiruese për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Lindore, si dhe fqinjët si Britania e Madhe dhe Turqia, pasqyron një propozim të ish presidentit francez Francois Mitterrand, për të bashkuar Evropën pas rënies së Murit të Berlinit.
Takimi i lartë përurues i Komunitetit Politik Evropian në Kështjellën e Pragës, do të fillojë me një ceremoni hapjeje, e pasuar nga një seri takimesh ku udhëheqësit do të diskutojnë mbi sfidat kryesore me të cilat përballet Evropa; siguria, energjia, klima, situata e rëndë ekonomike dhe migrimi.
Asnjë program apo para nuk do të ofrohet nga Bashkimi Evropian, dhe nuk do të ketë ndonjë deklaratë zyrtare pas takimit. Vëzhguesit thanë se organizatorët dyen të të shmangin zënkat e mundshme në raste të tilla rreth hartimit të një teksti të përbashkët.
Synimi është që nëse takimi rrjedh si duhet, udhëheqësit të mblidhen një ose dy herë në vit.
Megjithatë, fjalimi i presidentit Macron në muajin maj dhe komentet e kancelarit Scholz në qershor, kanë ngritur shqetësime se Komuniteti Politik Evropian mund të bëhet një “biletë e klasit të dytë” për t’u bashkuar me bllokun duke pasur parasysh ritmin pothuajse të ngrirë të bisedimeve për anëtarësim vitet e fundit.
Disa vende të Ballkanit kanë pritur rreth dy dekada, Turqia edhe më gjatë dhe përparimi është penguar nga vetoja e vendeve anëtare, së fundmi Greqia dhe më pas Bullgaria në rastet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kancelari gjerman tha në qershor se vendeve të Ballkanit Perëndimor, u ishte premtuar në vitin 2003 se mund të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. “Vitin e ardhshëm mbushen 20 vjet dhe kjo është një arsye për të bërë përpjekje të reja për t’u siguruar që këto vende të mund të realizojnë realisht një perspektivë anëtarësimi”.
Zgjerimi mund të përfshijë gjashtë vende të Ballkanit, dhe mbase Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë në të ardhmen. Ndërkohë shpresat e Turqisë janë në pritje.
Ushtrimi i vetos kombëtare dikur zhvillim relativisht i rrallë është bërë një dukuri e zakonshme, veçanërisht në rastin e Hungarisë. Secili vend ka ngulur këmbë gjithashtu që të ketë komisionarin e vet të politikave në Komisionin Evropian, i cili propozon ligje dhe siguron respektimin e tyre.
Ndërkohë, Parlamenti Evropian, institucioni i vetëm i bllokut i zgjedhur në mënyrë demokratike, është rritur gjithashtu në më shumë se 750 anëtarë.
Dëshmia e vlerës së takimit të Pragës mbase do të shihet vetëm pasi të organizohet një takimi dytë i këtij forumi, ndoshta diku vitin e ardhshëm.
*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press