Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s miratuan të mërkurën Deklaratën e Samitit të Ankarasë, duke riafirmuar, siç u tha, përkushtimin e palëkundur të Aleancës ndaj mbrojtjes kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit.
Në deklaratë theksohet se një sulm ndaj një aleati konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleancës, ndërsa uniteti, solidariteti dhe fuqia kolektive e Organizatës mbeten baza e paqes, sigurisë dhe prosperitetit për rreth një miliard qytetarë të vendeve anëtare.
Liderët e NATO-s vlerësuan se Rusia vazhdon të përbëjë kërcënimin afatgjatë më serioz për sigurinë euroatlantike, ndërsa terrorizmi mbetet një rrezik i vazhdueshëm. Në këtë kuadër, aleatët njoftuan investime të reja në mbrojtje me vlerë mbi 50 miliardë dollarë, si dhe zgjerimin e kapaciteteve të përbashkëta të prodhimit ushtarak dhe bashkëpunimit me industrinë për të përshpejtuar inovacionin.
Deklarata thekson se aleatët evropianë dhe Kanadaja, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, po marrin përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e aleancës. NATO synon të forcojë aftësitë e saj ushtarake në të gjitha fushat, duke investuar në sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe raketore, armë me goditje precize, sisteme pa pilot, teknologji të avancuara, inteligjencë artificiale dhe kapacitete kibernetike, ndër tjerash.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës i kushtohet Ukrainës për të cilin shtet u tha se i kontribuon sigurisë transnacionale. Aty thuhet se aleatët riafirmuan mbështetjen e palëkundur për mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit që ndodhet në luftë me Rusinë, duke theksuar se vendet evropiane dhe Kanadaja tashmë financojnë pjesën më të madhe të ndihmës së sigurisë për nevojat ushtarake, dhe jo vetëm, të qeverisë në Kiev.
Për vitin 2026, vendet e NATO-s u zotuan të ofrojnë 70 miliardë euro në pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnime për Ukrainën, ndërsa u angazhuan që të ruajnë të paktën të njëjtin nivel mbështetjeje edhe gjatë vitit 2027.
Aleatët, sipas deklaratës së përbashkët, përsëritën qëndrimin se Irani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore dhe i bënë thirrje Teheranit të respektojë plotësisht lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.