Maqedonia e Veriut vijon të ketë çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon, pavarësisht rritjes së fundit në tregjet ndërkombëtare. Këtë e konfirmoi ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, e cila theksoi se furnizimi në vend mbetet i qëndrueshëm.
Sipas saj, kontrollet e kryera nga inspektorët e tregut në mbi 300 subjekte tregtare kanë treguar se të gjithë operatorët disponojnë rezervat ligjore operative për të paktën pesë ditë furnizim.
Ministrja bëri të ditur gjithashtu se edhe rezervat shtetërore të karburanteve janë të mjaftueshme për të përballuar rreth 62 ditë të nevojave të qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit.
Autoritetet paralajmërojnë se nëse presionet në tregjet globale të energjisë vazhdojnë, do të aktivizohen mekanizma shtesë për të mbrojtur standardin e qytetarëve. Mes masave të mundshme përfshihet ulja e akcizës për karburantet deri në 4 denarë, si dhe reduktimi i TVSH-së për blerjen e produkteve të naftës.
Sipas ministres Bozhinovska, qytetarët nuk dëmtohen nga rregullorja e re për ndryshimin e çmimeve, e cila parashikon që ato të përditësohen një herë në javë, çdo të hënë. Më herët, çmimet ndryshonin sa herë që kishte lëvizje në bursat ndërkombëtare të naftës. Ajo theksoi se deri tani është regjistruar vetëm një rritje.
Çmimet e karburanteve në vend përcaktohen nga Komisioni Rregullator i Energjisë i Maqedonisë së Veriut, ndërsa ministria nuk ndërhyn në procesin e vendimmarrjes.
Së fundmi, komisioni vendosi një rritje mesatare prej 14.27% të çmimeve të karburanteve. Çmimi i naftës u rrit me 14.5 denarë, pas rritjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, ku një fuçi ka kaluar sërish kufirin e 100 dollarëve.
Autoritetet pritet të shpallin çmimet e reja të karburanteve të hënën e ardhshme, ndërsa luhatjet në bursat globale të naftës mbeten një faktor kyç që ndikon në tregun vendas. Në dy ditët e fundit, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka kaluar sërish nivelin e 100 dollarëve për fuçi, pasi më herët kishte rënë deri në rreth 85 dollarë për fuçi.

















