Sulmet në Lindjen e Mesme, reagime nga ndërkombëtarët

Sulmi ndaj Iranit ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga ndërkombëtarët, të cilët bëjnë thirrje për dialog dhe përmbajtje.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen (Ursula fon der Lajen), në një deklaratë të përbashkët me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, shprehu shqetësim për zhvillimet në Iran.

“Ne riafirmojmë angazhimin tonë të palëkundur për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Parandalimi i çdo veprimi që mund të përshkallëzojë më tej tensionet është me rëndësi kritike”, tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, njoftoi se BE-ja po koordinohet gjithashtu ngushtë me partnerët arabë për të shqyrtuar rrugë diplomatike.

“Zhvillimet e fundit në të gjithë Lindjen e Mesme janë të rrezikshme. Regjimi i Iranit ka vrarë mijëra njerëz. BE-ja po koordinohet gjithashtu ngushtë me partnerët arabë për të shqyrtuar rrugë diplomatike”, tha Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të BE-së.

Edhe Britania e Madhe përsëriti thirrjen se Iranit nuk do t’i lejohet kurrë të zhvillojë armë bërthamore dhe u bën thirrje shtetasve britanikë që të strehohen menjëherë.

Ministria e Jashtme e Rusisë i përshkroi veprimet e SHBA-së dhe Izraelit si “të pakujdesshme”, duke thënë se ato shkelin ligjin ndërkombëtar. Rusia bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve dhe për rikthim te zgjidhjet politike dhe diplomatike.