“Sipas një raporti të Fondacionit Europian të Trajnimeve, rreth 40% e të punësuarve me arsim të lartë në Shqipëri janë në vende pune që nuk përputhen me kualifikimin e tyre”, raporton gazetarja Gerta Vasku.

“Kjo do të thotë një mospërputhje mes kërkesës dhe ofertës për punë. Tregon edhe çekuilibrin që ka pasur tregu i punës, ku nga njëra anë janë prodhuar një hiperflacion diplomash. Nuk i kanë marrë nga studimi dhe formimi i tyre, por duke iu përgjigjur nevojës për të pasur një pagë në fund të muajit”, shprehet Erjon Muça, ekspert punësimi për Tv Klan.

Përballë këtij realiteti që dëshmon një lidhje jo të fortë mes sistemit arsimor dhe tregut të punës, ekspertët rekomandojnë ndryshimin e politikave, një studim më të mirë, përfshirë një strategji kombëtare punësimi.

“Duhen metoda më interaktive për nxënësit e shkollës 9-vjeçare për të identifikuar talentin. Duhet të bëhet lëndë bazë këshillimi i karrierës në shkollat e mesme. Duhet të ndërtohen programe të mira për të orientuar studentët drejt tregut të punës. Kjo duhet të vijë në mënyrë kronologjike. Bizneset t’u japin mundësi të rinjve që të futen në degën ku kanë studiuar”, shton eksperti.

Megjithatë, ndonëse jo në të njëjtin nivel me normat e vendeve të BE-së, krahasuar me vite më parë, duket se të rinjtë shqiptarë janë më të orientuar në zgjedhjet e tyre.

“Një pjesë e ndjekin talentin që kanë. Po zgjedhin degë dhe programe që të kenë akses në nivel global. Regres është interesi për degët prioritare nga shteti”, shprehet Muça.

Raporti thotë se rreth 66% e të rinjve në Shqipëri punësohen menjëherë pas diplomimit. Ndonëse shifrat tregojnë një përmirësim të lehtë, mbetet ende diferenca me standardin e BE-së, që ka një normë punësimi prej 82.4%.