Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar se çdo sulm nga Shtetet e Bashkuara do të shkaktonte një konflikt rajonal, ndërsa Uashingtoni vazhdon të shtojë praninë ushtarake pranë Iranit.
“Amerikanët duhet ta dinë se nëse nisin luftë, këtë herë do të jetë një luftë rajonale”,është shprehur Khamenei, i cituar nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ndodhet në “diskutime serioze” dhe shpreson që ato të çojnë drejt një zgjidhjeje “të pranueshme”. Edhe zyrtari më i lartë i sigurisë në Iran, Ali Larijani, tha se një kornizë për negociatat po ecën përpara.
Trump ka kërcënuar me ndërhyrje ndaj Iranit për shkak të ambicieve bërthamore dhe pas shtypjes së përgjakshme të protestave kundër qeverisë. Si pjesë e forcimit ushtarak, SHBA-të kanë dërguar aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln në rajon dhe Komanda Qendrore Amerikane njoftoi se ajo po operon në Detin Arabik.
“[Trump] flet vazhdimisht se ka sjellë anije… Populli iranian nuk do të frikësohet nga këto gjëra”, shtoi Khamenei.
Irani pritet të nisë të dielën një stërvitje dyditore detare me municion të vërtetë në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë dhe kyçe për furnizimin me energji. Rreth një e pesta e naftës së tregtuar globalisht kalon përmes kësaj ngushtice, e cila në pikën më të ngushtë është rreth 33 kilometra e gjerë, mes Iranit dhe Omanit. Irani ka kërcënuar më parë se do ta mbyllë ngushticën nëse sulmohet.
SHBA-të kanĽ paralajmëruar Iranin kundër çdo sjelljeje “të pasigurt dhe joprofesionale” pranë forcave amerikane në zonë. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, iu përgjigj duke thënë: “Ushtria amerikane tani po përpiqet të diktojë se si Forcat tona të Fuqishme të Armatosura duhet të zhvillojnë stërvitje në territorin e tyre”.
Tensioni u rrit edhe më shumë pas dy shpërthimeve të ndodhura të shtunën në Iran. Autoritetet lokale thanë se një shpërthim në qytetin portual jugor Bandar Abbas, ku humbi jetën një person dhe u plagosën 14 të tjerë, u shkaktua nga një rrjedhje gazi. Tasnim mohoi raportimet në rrjetet sociale se objektiv kishte qenë një komandant i marinës së Gardës Revolucionare.
Në qytetin Ahvaz, në jugperëndim të vendit, të paktën katër persona u vranë në një tjetër shpërthim, të cilin autoritetet lokale e atribuuan gjithashtu një rrjedhjeje gazi, sipas gazetës Tehran Times.
Të enjten, Trump tha se i kishte kërkuar Iranit dy gjëra për të shmangur veprimin ushtarak amerikan: “E para, pa armë bërthamore. Dhe e dyta, të ndalojë vrasjen e protestuesve.”
Agjencia amerikane Human Rights Activists News Agency thotë se ka konfirmuar vrasjen e më shumë se 6 mijë e 300 personave që nga fillimi i trazirave në fund të dhjetorit dhe po heton edhe 17 mijë vdekje të tjera të raportuara. Një tjetër organizatë, Iran Human Rights me seli në Norvegji, ka paralajmëruar se numri përfundimtar i viktimave mund të kalojë 25 mijë.
Protestues kanë thënë për BBC-në se shtypja e dhunshme nga forcat e sigurisë ishte e paprecedentë. Në deklaratën e tij të dielën, Khamenei akuzoi protestuesit se kanë sulmuar policinë, Gardën Revolucionare Islamike dhe objekte të tjera, përfshirë banka dhe xhami. “Grushti i shtetit u shtyp”, citohet të ketë thënë ai nga Tasnim.

















