Të mërkurën, 28 janar, në ditën e tretë të protestës u bllokuan dhjetëra pikëkalime kufitare në Bosnje, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.

Edhe shoferët serbë bllokuan pikakalimet kufitare për në hapësirën Shengen, duke krijuar radhë të gjata me kamionë.

Në pikëkalimin kufitar Bajakovo, kalimi më i rëndësishëm kufitar ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, të mërkurën kamionët krijuan një kolonë të gjatë prej rreth 2 km. Dhoma serbe e tregtisë CCIS u ankua se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor çdo ditë po humbasin rreth 100 milionë euro nga vlera e eksporteve.

Arrestime të shoferëve shkak për bllokadat në kufi

Shoqatat e spedicionit (shoqata që përfaqësojnë kompanitë e transportit dhe të logjistikës) i koordinuan aksionet e protestës kundër sistemit digjital të aplikuar që nga tetori për hyrje-daljet e personave nga vendet jo anëtare të BE-së. Sistemi Entry/Exit-System (EES) synon të shmangë vulat në pasaporta duke regjistruar në mënyrë digjitale në një regjistër qendror për të gjithë hapësirën Shengen informacionet për udhëtimin dhe të dhënat biometrike, qëllimi kryesor me aplikimin e këtij sistemi është mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së.

Sfondi i protestës ka të bëjë me faktin, se sipas CCIS së fundmi janë arrestuar në mënyrë të përsëritur shoferët, që kanë shkelur rregulloren e qendrimit 90 ditë brenda harkut kohor të 180 ditëve në BE.

Kjo rregullore nuk është e re, por përmes sistemit elektronik EES mundësohet një kontroll më i rreptë i shetetasve jashtë BE-së.

Si kusht për shfuqizimin e bllokadës organizatorët kërkojnë të negociohet për rregulla përjashtuese që të paktën të garantohet, se nuk do të ketë arrestime të shoferëve.

BE partneri kryesor tregtar për Ballkanin Perëndimor

Të hënën, 26 janar, zëdhënësi i Komisionit të BE-së komunikoi, se autoritetet e Brukselit janë të vetëdijshëm për shqetësimet e shprehura, dhe po e ndjekin me vëmendje situatën.

Sipas të dhënave të BE-së, partneri kryesor i tregtisë për vendet e Ballkanit Perëndimor është BE-ja me 60% të të gjithë volumit të tregtisë në rajon. Në 2024-ën tregtia e mallrave ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor arriti një volum prej mbi 83 miliardë euro./DW