Shqipëria është edhe zyrtarisht tashmë anëtare themeluese e Bordit të Paqes, një organizatë ndërkombëtare që u iniciua nga Presidenti Donald Trump.
Lajmi u bë publik përmes një postimi në faqen zyrtare të Bordit të Paqes, ku thuhet se Bordi i Paqes mirëpret Shqipërinë si anëtare themeluese e organizatës sonë ndërkombëtare.
Ky njoftim është ripostuar edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Vendimi për të qenë anëtarë të Bordit të Paqes u ratifikua me 110 vota të mazhorancës dhe opozitës në Parlament, duke i dhënë njëherësh edhe autorizimin kryeministrit Rama të përfaqësojë Shqipërinë.
Aktualisht, Bordi i Paqes numëron 26 shtete themeluese, përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që ky numër pritet të shtohet në ditët në vijim edhe me të tjera shtete. Në ceremoninë e nënshkrimit të iniciativës në Davos të Zvicrës, nga rajoni ynë ishte e pranishme në krah të presidentit Trump edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Nga brenda Bashkimit Evropian, vetëm Hungaria dhe Bullgaria e kanë pranuar.
Bordi i Paqes pritet të luajë një rol në mbështetjen e fazës së re të armëpushimit në Gaza dhe mund të marrë përsipër edhe sfida të tjera globale.
Shtëpia e Bardhë shtoi se “ky është një tjetër hap i rëndësishëm përpara në realizimin e vizionit të Presidentit Trump për transformimin e Gazës nga një rajon i pllakosur nga konflikti dhe dëshpërimi në një rajon të përcaktuar nga mundësitë, shpresa dhe vitaliteti. Bordi i Paqes është i gatshëm të mobilizojë burimet globale, të zbatojë llogaridhënien dhe të udhëheqë zbatimin e fazave të ardhshme kritike të demilitarizimit, reformës së qeverisjes dhe rindërtimit në shkallë të gjerë”.
Megjithatë, disa ditë më parë, Zyra e Kryeministrit kishte thënë se “njoftimi në lidhje me përbërjen e Bordit Ekzekutiv të Gazës, i cili është në varësi të Bordit të Paqes, nuk ishte i koordinuar me Izraelin dhe është në kundërshtim me politikën e tij”.
Bordi Ekzekutiv ndryshon nga Bordi i Paqes dhe pritet të përfshijë përfaqësues nga Turqia, Egjipti, Katari dhe vende të tjera.
Trump po e emëron veten kryetar të bordit, me fuqinë për të anuluar të gjithë anëtarët. Ai ka të drejtë të emërojë ekzekutivin e bordit dhe e bën transparencën financiare opsionale, duke thënë se bordi “mund të autorizojë hapjen e llogarive sipas nevojës”.

















