Ballina Aktualitet Kur “like” bëhet matësi i vlerës personale

Kur “like” bëhet matësi i vlerës personale

Flet Ermela Shllaku, psikologe- Nga Monitor.al

Në një botë ku videot 15-sekondëshe përcaktojnë ritmin e përditshëm dhe “like”-t po bëhen njësi matëse të vlerës personale, fëmijët janë duke u rritur në një realitet ku algoritmet formësojnë mendimet, emocionet dhe ndjenjën e vetvetes.

Çfarë ndodh me zhvillimin emocional kur dopamina vjen nga një ekran dhe jo nga një përqafim?

Psikologia Ermela Shllaku shpjegon se si ekspozimi i hershëm ndaj platformave si TikTok dhe YouTube po ndikon në mënyrën si fëmijët mësojnë të përqendrohen, të vetërregullohen emocionalisht dhe të ndërtojnë marrëdhënie reale.

Si po ndikon ekspozimi i hershëm ndaj TikTok-ut, YouTube-it dhe algoritmeve te zhvillimi emocional dhe mendor i fëmijëve?

Ekspozimi i hershëm ndaj platformave të tilla si YouTube, TikTok apo të tjera ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si një fëmijë zhvillon përqendrimin, vetëkontrollin apo zhvillimin emocional.

Nuk duhet të harrojmë faktin që, për shkak të moshës, truri i tyre ende nuk ka arritur pjekurinë mendore, duke i bërë ata më të ndjeshëm dhe më lehtë të prekshëm ndaj çdo stimuli të jashtëm.

Në të gjitha këto platforma dhe rrjete sociale, në qendër qëndron algoritmi, i cili në mënyrë të frikshme të rrëmben në vorbullën e tij të shpejtë, duke dhënë kënaqësi të menjëhershme (dhe kështu truri çliron dopaminë).

Por, duke u dhënë fëmijëve kënaqësi të menjëhershme, nuk u zhvillohet aspak durimi dhe aftësia për t’u përqendruar në aktivitete të ndryshme. Në zhvillimin e shëndetshëm të një individi – e sidomos të një fëmije – ka shumë rëndësi edhe zhvillimi emocional.

Duke qenë pranë këtyre platformave, u mësojmë fëmijëve stimuj të gatshëm për t’u ndier mirë, në vend që të mësojnë mekanizma për vetërregullim emocional (shumë i rëndësishëm).

A po krijohet një brez që e mat vlerën e vet me pëlqime dhe ndjekës dhe çfarë pasojash ka kjo për vetëvlerësimin dhe identitetin e tyre?

Për fat të keq, shumë fëmijë e adoleshentë po testojnë se sa vlejnë vetëm nga pëlqimet apo shikimet që marrin nga platformat. Sa më shumë pëlqime, aq më të pëlqyer dhe të dëshiruar mendojnë se janë.

Në momentin që këto pëlqime mungojnë, shfaqet ankthi social, krahasimi i vazhdueshëm dhe vetëvlerësimi i ulët. Duke u rritur, çdo fëmijë mësohet të tregojë dhe të bëjë atë që të tjerët duan e pëlqejnë, për t’u ndier i pranuar nga të gjithë, duke ndrydhur mendimet, ndjenjat dhe emocionet e veta reale.

Duke qenë se fëmijët po shndërrohen në konsumatorë aktivë përmes përmbajtjes digjitale, sa e kuptojnë ata logjikën ekonomike që qëndron pas “ekonomisë së vëmendjes”? Dhe si ndikon kjo në mënyrën si e perceptojnë vlerën, paranë dhe suksesin?

Në fakt, ndonjëherë, edhe vetë bota e të rriturve e ka të vështirë ta kuptojë që pas çdo videoje apo shikimi në këto platforma qëndron një biznes, pra një tregti.

E si mund ta kuptojë bota e fëmijëve, kur çdo gjë paraqitet e përsosur, me ngjyra e drita që tërheqin në mënyrë të frikshme këdo, duke u përkthyer në të ardhura për krijuesit? Duket se koncepti i të ardhurave dhe i parasë ka ndryshuar shumë vitet e fundit, sidomos te fëmijët.

Tashmë ata mendojnë se je i suksesshëm nëse je viral dhe i pëlqyer, dhe kjo, sipas tyre, të sjell më shumë të ardhura.

Si mund të veprojnë prindërit dhe shkolla për të krijuar ekuilibër mes jetës digjitale dhe asaj reale, pa demonizuar teknologjinë?

Duhet të kuptojmë që ndalimi i rreptë nuk është zgjidhja e duhur, pasi kjo mund t’i shtyjë edhe më shumë fëmijët drejt përdorimit të teknologjisë.

Pra, në vend që t’u themi fëmijëve “mos e përdor”, le t’u mësojmë si ta përdorin në mënyrë të dobishme. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme edhe koha cilësore që kalohet me fëmijët – pra, të qenët pranë tyre jo vetëm fizikisht, por edhe duke biseduar e duke i dëgjuar për t’u kuptuar emocionet pa i gjykuar.

Ndërsa shkolla mund të zhvillojë mësime ose orë edukative për t’i mësuar fëmijët mbi ndikimin e këtyre platformave në jetën e tyre, si dhe për ndikimin e reklamave, algoritmeve dhe manipulimit online.

Çfarë ndikimi ka ndërveprimi me “shokë virtualë” apo aplikacione me Inteligjencë Artificiale në aftësinë për empati dhe marrëdhënie reale?

Empatia është një element shumë i rëndësishëm që duhet të zhvillohet te fëmijët për ta bërë botën e tyre më me ngjyra. Empatia nuk mund të zhvillohet nga ekrani, nga figurat apo pamjet virtuale e virale.

Ajo zhvillohet përmes shqisave – të prekjes, të shikimit, të ndjenjës fizike – të lidhura me botën reale, jo atë virtuale. Ndërveprimi me “shokë” virtualë mund të çojë në izolim social dhe vështirësi në ndërtimin e marrëdhënieve të vërteta njerëzore.

Duke parë këtë realitet, si e shihni ju të ardhmen e brezit që po rritet me algoritme – më të aftë apo më të brishtë emocionalisht?

Brezi i ri po rritet i rrethuar nga teknologjia dhe informacioni, ndaj është padyshim më i aftë në përdorimin e mjeteve digjitale dhe në gjetjen e zgjidhjeve të shpejta. Por nga ana emocionale, rrezikon të jetë më i ndjeshëm, më pak i duruar dhe më i varur nga stimujt e jashtëm.

E ardhmja do t’u përkasë atyre që arrijnë të ruajnë ekuilibrin midis botës virtuale dhe asaj reale, atyre që dinë ta përdorin teknologjinë pa humbur kontaktin me ndjenjat, me empatinë dhe me marrëdhëniet e vërteta njerëzore.

Prandaj, sfida më e madhe sot nuk është të mësojmë fëmijët si ta përdorin teknologjinë, por si të mos humbasin veten brenda saj.