Cila ishte gjëja e fundit që i kërkuat të bënte për ju, një chatbot-i me inteligjencë artificiale (IA)?
Ndoshta i kërkuat të strukturojë një ese për t’ju ndihmuar t’i përgjigjeni një pyetjeje të vështirë, të analizojë një set të dhënash, ose të kontrollojë nëse letra juaj e motivimit përputhet me përshkrimin e punës.

Disa ekspertë shqetësohen se delegimi i këtyre detyrave do të thotë se truri juaj po punon më pak, dhe madje mund të dëmtojë aftësitë tuaja të të menduarit kritik dhe zgjidhjes së problemeve.

Më herët këtë vit, Instituti i Teknologjisë i Massachusetts (MIT) publikoi një studim që tregoi se njerëzit që përdorën ChatGPT për të shkruar ese shfaqën më pak aktivitet në rrjetet e trurit të lidhura me përpunimin kognitiv gjatë ushtrimit. Ata gjithashtu nuk mund të citonin nga esetë e tyre aq lehtë sa ata që nuk e kishin përdorur chatbot-in. Studiuesit thanë se studimi tregoi “nevojën urgjente për të eksploruar një rënie të mundshme të aftësive të të nxënit”.

Të gjithë 54 pjesëmarrësit në këtë studim u rekrutuan nga MIT dhe universitetet përreth. Aktiviteti i trurit u regjistrua përmes elektroencefalografisë (EEG). Disa nga kërkesat përfshinin përmbledhjen e pyetjeve të eseve, gjetjen e burimeve, si dhe përmirësimin e gramatikës dhe stilit. IA u përdor edhe për gjenerimin e ideve, por disa përdorues ndjenë se nuk ishte shumë i mirë në këtë.

Një studim i veçantë nga Carnegie Mellon University dhe Microsoft (që operon Copilot) tregoi se aftësitë e zgjidhjes së problemeve mund të dobësohen nëse njerëzit mbështeten tepër tek IA. Ata anketuan 319 punonjës që përdornin IA-në të paktën një herë në javë. Studimi tregoi se sa më e lartë të ishte besimi në aftësitë e mjetit, aq më e ulët ishte përpjekja “për mendim kritik”.

“Ndërsa gjenerimi i IA-së mund të rrisë efikasitetin e punëtorëve, ai mund të pengojë angazhimin kritik me punën dhe të çojë në mbështetje afatgjatë tek mjeti dhe dobësim të aftësive për zgjidhje të pavarur të problemeve.”

Një studim i Oxford University Press (OUP) me nxënës britanikë tregoi se 6 në 10 prej tyre, ndjenin se IA kishte ndikuar negativisht në aftësitë e tyre në shkollë.

Pra, me shpërthimin masiv të përdorimit të IA-së, a janë aftësitë tona kognitiv në rrezik rënieje? Jo domosdoshmërisht, thotë Dr. Alexandra Tomescu, specialiste e IA-së në OUP, e cila punoi në sondazhin me nxënësit. Sipas saj, çereku i nxënësve mendonin se IA ua bënte punën shumë të lehtë, por 9 në 10 thoshin se i kishte ndihmuar të zhvillonin të paktën një aftësi si zgjidhja e problemeve, kreativiteti apo përsëritja.

Rezultate më të mira, por mësim më i dobët?

ChatGPT, me mbi 800 milion përdorues aktivë në javë sipas Sam Altman, ka publikuar 100 kërkesa të dizajnuara për studentët. Por Prof Wayne Holmes nga University College London thotë se kjo nuk mjafton. Ai kërkon më shumë kërkime akademike mbi efektet e IA-së në të nxënë, duke paralajmëruar se “nuk ka prova të pavarura në shkallë të gjerë për efektivitetin e këtyre mjeteve në arsim”.

Holmes përmend fenomenin e “atrofisë kognitive”, ku aftësitë dobësohen pas përdorimit të IA-së. Një studim i Harvard Medical School tregoi se ndihma e IA-së përmirësoi performancën e disa mjekëve radiologë, por i dëmtoi të tjerët. Autorët kërkuan më shumë punë mbi mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me IA-në, për të gjetur mënyra që “të rrisin performancën njerëzore dhe jo ta dëmtojnë”.

Holmes paralajmëron se studentët mund të marrin nota më të mira falë IA-së, por të kuptojnë më pak. “Rezultatet e tyre janë më të mira, por të nxënit është më i dobët,” tha ai.

Nga ana tjetër, Jayna Devani nga OpenAI thotë se ChatGPT duhet të përdoret si tutor, jo si zëvendësues i punës. Ajo përmend mënyrën e përdorimit në “study mode” (modalitet studimi), ku chatbot ndihmon studentin të kuptojë një pyetje duke e ndarë në pjesë. “Potenciali është aty për të përshpejtuar të nxënin kur përdoret në mënyrë të synuar,” tha ajo.

Holmes këmbëngul se studentët duhet të kuptojnë si funksionon arsyetimi i IA-së dhe si kompanitë menaxhojnë të dhënat. “Nuk është thjesht versioni i fundit i kalkulatorit,” tha ai. “Unë nuk u them studentëve të mos përdorin IA-në… por u them se duhet të kuptojmë të gjitha aspektet e tij për të marrë vendime të informuara.”