Kancelari gjerman, Friedrich Merz i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin të ndalojë luftimet në Ukrainë gjatë Krishtlindjeve.

“Ndoshta udhëheqjes ruse i ka mbetur një fije mirësjelljeje njerëzore dhe të paktën do ta lërë popullsinë në paqe nga ky terror për disa ditë gjatë Krishtlindjeve”, tha Merz në Berlin sonte në një konferencë shtypi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në përgjigje të vërejtjeve të Merz për mirësjelljen njerëzore, Zelensky shtoi, sipas një përkthimi zyrtar se “nuk kishte asgjë të tillë (mirësjellje) por gjithçka është e mundur”.

Merz i përshkroi sulmet ruse ndaj kopshteve, spitaleve dhe furnizimeve me energji si “terror kundër popullsisë civile”.

Ai shtoi se ndoshta një armëpushim gjatë Krishtlindjeve “mund të jetë gjithashtu fillimi i bisedimeve të arsyeshme dhe konstruktive për të arritur paqe të qëndrueshme në Ukrainë”.

Kur u pyet nëse priste një armëpushim deri në Krishtlindje, kancelari gjerman u shpreh i kujdesshëm.

“Tani kjo varet tërësisht nga pala ruse”, tha ai.

“Gjatë dy ditëve të negociatave në Berlin janë zhvilluar propozime të përbashkëta evropiane, ukrainase dhe amerikane”, tha Merz.

“Këto do t’u prezantohen tani palës ruse”, shtoi  ai.