Shqipëria është vetëm dy hapa larg Botërorit të Amerikës. Më e rëndësishmja ka përfunduar, edhe pse më e vështira duhet të vijë.
Për herë të parë në histori, Kombëtarja shqiptare ka siguruar biletën për në “play off”-in e Botërorit, duke u renditur e dyta në grupin K me 14 pikë, katër më shumë sesa Serbia që humbi me Anglinë 0-2 në Wembley, duke i bërë të pavlefshme ndeshjet e fundit në grup.
Ia dolëm falë fitores së vuajtur në Andorra për të bërë realitet ëndrrën e një kombi. Heroi i mbrëmjes ishte Kristjan Asllani, që largoi fantazmat pas 45 minutave të luajtura aspak mirë.
Kuqezinjtë iu afruan golit me anë të Gjimshitit që goditi traversën, por vetëm kaq. Në pjesën e dytë, kuqezinjtë shtuan ritmin dhe ia dolën të gjenin golin e fitores falë lëvizjes së Sylvinho-s për të aktivizuar Bajramin dhe Uzunin. Pasimi i këtij të fundit për Asllanin solli golin e çlirimit dhe të historisë.
Por rrugëtimi drejt ëndrrës së madhe të Botërorit kishte shumë pengesa dhe ulje-ngritje. Në “Uembli”, Anglia fitoi 2-0, por e dinim që ndaj tyre kishim pak shanse.
Pak ditë më vonë, në “Air Albania” erdhi fitorja me Andorrën, dy gola Manaj dhe një Uzuni. Fitore çliruese për të larguar mjegullën dhe për të parë në horizont ëndrrën.
Sfida e radhës ishte finalja e parë. Në Tiranë pritëm rivalin e betuar dhe kundërshtarin direkt në grup. Në një atmosferë elektrizuese, Kombëtarja dominoi lojën dhe pati shansin e artë për tre pikët. Rei Manaj humbi penalltinë.
Por nuk kishte kohë për të qarë, për tre ditë luanim në Letoni. Edhe Strakosha vë duart e tij në këtë kualifikim duke pritur penalltinë në minutën e 21-të, por ndeshja përfundoi 1-1. Loja nuk ishte më e mira e mundshme. Qershori u mbyll me pengje.
Në të ardhmen nuk faleshin gabimet. Dhe kështu ndodhi. Edhe pse jo brilantë në “Air Albania”, Kristjan Asllani na dha tre pikët e arta kundër Letonisë me penalltinë e tij.
Kombëtarja shkroi me gërma të arta emrin e saj më 11 tetor, kur Rei Manaj u shndërrua në hero me golin e tij duke ngritur në festë një komb të tërë. Fitore që na dha hov dhe besim se mund t’ia dilnim.

















