Tre ditë pasi Izraeli kreu sulme ajrore ndaj udhëheqjes së Hamasit në kryeqytetin e Katarit, Doha, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe e dënuan sulmin.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga qeveria britanike, ministrat thanë se sulmi kishte shkelur sovranitetin e Katarit dhe rrezikuar përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon.

“Një veprim i tillë përbën një rrezik të madh për arritjen e një marrëveshjeje të negociuar, e cila do të siguronte lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe do t’i jepte fund luftës në Gazë”, thuhet në deklaratë.

Ministrat i kërkuan të gjitha palëve të dyfishonin përpjekjet e tyre për të rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm.

Katari, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Egjiptin, ka vepruar si ndërmjetës në bisedime.

Ushtria e Izraelit shënjestroi të martën udhëheqësit e Hamasit në Doha, por, sipas Hamasit, asnjë anëtar i delegacionit të tij negociues nuk u vra.

Gjashtë persona u raportuan të vrarë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënoi sulmin në një deklaratë të përbashkët të enjten.

“Ne shprehim solidaritetin tonë me Katarin dhe mbështesim plotësisht rolin jetësor që ai vazhdon të luajë në përpjekjet e ndërmjetësimit midis Izraelit dhe Hamasit, së bashku me Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikes”, thuhet në deklaratën e përbashkët.