Ushtria izraelite “duhet të ndalojë” vrasjen e civilëve palestinezë që mblidhen në pikat e shpërndarjes së ndihmave humanitare në Gaza. Kështu ka deklaruar këtë të martë, më 22 korrik, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
“Kam theksuar qartë se ushtria izraelite duhet të ndalojë vrasjen e njerëzve në pikat e shpërndarjes së ndihmave humanitare,” tha ajo në një postim në rrjetin social X pas një bisede me ministrin izraelit të Punëve të Jashtme, Gideon Saar.
Vrasja e civilëve që kërkojnë ndihmë në Gaza “është e papranueshme,” insistoi përfaqësuesja estoneze.
“Civilët nuk mund të jenë kurrë objekt sulmi. Kurrë. Pamjet nga Gaza janë të papranueshme,” theksoi edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjithashtu në rrjetin social X.
“Kjo duhet të ndalet tani. Izraeli duhet të respektojë angazhimet e tij,” shtoi von der Leyen.
Sjellim ndërmend se Bashkimi Evropian njoftoi para dy javësh se kishte arritur një marrëveshje me Izraelin për përmirësimin e shpërndarjes së ndihmave humanitare në Gaza.
“Izraeli ka respektuar disa angazhime, siç kam theksuar javën e kaluar, por është e qartë se ka ende shumë për të bërë,” vlerësoi të martën zëdhënësi i shërbimit diplomatik të BE-së, Anouar El Anouni, duke theksuar se shefja e diplomacisë “po ushtron presion” ndaj Izraelit.
Kallas sqaroi në një tjetër postim në X se i ka kujtuar të martën ministrit izraelit se “të gjitha opsionet mbeten në tryezë” nëse Izraeli nuk i respekton angazhimet e tij.
L’orient Le Jour shkruan se një raport i Komisionit Evropian, i prezantuar në fund të qershorit tek 27 shtetet anëtare, vlerëson se Izraeli ka shkelur nenin 2 të marrëveshjes së asociimit që e lidh me BE-në, në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut.
Si pasojë, Kallas ka përgatitur një listë me opsione të mundshme për 27 shtetet: pezullimi i marrëveshjes në tërësi, ndalimi i eksporteve nga territoret e okupuara palestineze, rishikimi i politikës së vizave, apo edhe pezullimi i pjesës tregtare të marrëveshjes së asociimit.
Çdo vendim kërkon unanimitetin e 27 vendeve anëtare, ose shumicën e kualifikuar në rastin e pjesës tregtare të marrëveshjes.
Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së, shumë të ndarë për këtë çështje, preferuan të shtyjnë çdo vendim në një takim në Bruksel më 15 korrik.
Ata do të takohen përsëri në fund të gushtit për një takim informal në Kopenhagen, kryeqytetin e Danimarkës, që ka marrë këtë muaj presidencën semestrale të BE-së.
Të martën, Bashkimi Evropian gjithashtu “denoncoi” çdo sulm ndaj ambienteve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Rripin e Gazës.
OBSH-ja denoncoi të hënën sulme izraelite ndaj disa ambienteve të saj në Rripin e Gazës.
Në mbrëmje, drejtori i përgjithshëm i agjencisë së OKB-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, njoftoi se ushtarë izraelitë kishin hyrë në rezidencën e stafit të tij në pjesën qendrore të enklavës palestineze.
Tedros tha se ushtarët i “detyruan gratë dhe fëmijët të largoheshin këmbë nga vendi”, ndërsa “stafi mashkull dhe anëtarë të familjes së tyre u lidhën me pranga, u zhveshën, u pyetën në vend dhe u kontrolluan nën kërcënimin e armës,”