Rindërtimi i Ukrainës pas luftës, ishte në fokus të liderëve të Bashkimit Europian, të cilët u mblodhën në Romë, së bashku me presidentin Volodymir Zelensky.

Kryeministrja e vendit pritës, Giorgia Meloni njoftoi se janë mbledhur 10 miliardë euro për këtë proces.

“Unë besoj se duhet të jemi krenarë për rezultatin që arritëm sot, së bashku me konferencën e sotme, kemi marrë angazhime që arrijnë në total 10 miliardë euro. Ne po marrim përsipër të ardhmen e Ukrainës”, tha Meloni.

Presidenti Zelensky, kërkoi më shumë presion të shtuar ndaj Rusisë, pasi sipas tij nuk i është përmbajtur marrëveshjeve për armëpushim.

“Tani të gjithë e shohin qartë. Putin ka refuzuar çdo propozim për paqe, e po e përshkallëzon më tej dhunën”, tha Zelensky.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, foli për planin e BE për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës.

“Plani ynë, gatishmëria mbrojtëse 2030 do të jetë kyç. Ajo do vërë në dispozicion burimet e nevojshme dhe hapësirën fiskale për të realizuar një rritje të ndjeshme të kapaciteteve ushtarake. Do të nxisë gjithashtu investimet në Ukrainë”, tha Von der Leyen.