Në Dokumentin Politik për Moshimin dhe Planin e Veprimit 2025-2030, i cili është miratuar si draft nga qeveria, është parashikuar të ketë një dyfishim të fondit social për grupmoshën e tretë sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

“Fondi Social, i cili është një instrument që jep mundësinë e ofrimeve të shërbimeve sociale, do të rritet me dyfishim për sa i përket të gjitha shërbimeve që janë të lidhura me asistencën shtëpiake për të moshuarit e pamundur, aty ku nuk ka mundësi aksesi shëndetësor nga i moshuari të shkojë shërbimi te i moshuari. Qendrat Komunitare të moshës së tretë do të dyfishohen”, tha zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi.

Gjithashtu, në planin e veprimit 2025-2030 është menduar edhe ngritja e qendrave rezidenciale që u vijnë në ndihmë të moshuarve që jetojnë vetëm.

“Në shtëpi të mbështetura do të japim një mundësi më shumë për të gjithë të moshuarit, të cilët mund të jenë të braktisur në një moment të jetës së tyre dhe të kenë mbështetjen e disa infermierëve apo të një personeli të specializuar. Ata të moshuar, të cilët nuk kanë një mbështetje nga familja do të mbështeten nga shteti duke pasur një vlerë të shtuar edhe të kujdestarisë profesionale.”

Në fokus është edhe kontributi që mund të japin të moshuarit në sistemin arsimor edhe pse janë në pension.

“Kemi menduar, gjithashtu, që të moshuarit të cilët kanë profesione të caktuara, sapo kanë dalë në pension, siç është inxhinier, arkitekt, mësues, e të tjera, të mund të vijojnë edhe veprimtarinë e tyre në shkollat tona, pasi kemi një projekt të posaçëm, i cili quhet ‘të birësojmë një shkollë.’”

Edhe reformimi i skemës së pensioneve, ku parashikohet dhënia e pensionit të 13 për të moshuarit, është pjesë e draftit të Dokumentit Politik për Moshimin dhe Planin e Veprimit 2025-2030.