Pasagjerët e linjave ajrore në Turqi që heqin rripin e sigurimit, hapin ndarjet e sipërme apo lëvizin në korridor përpara se avioni të ndalojë plotësisht, tashmë do të përballen me gjoba, sipas një rregulloreje të re të Autoritetit të Aviacionit Civil të vendit.
Rregullat e përditësuara, që hynë në fuqi në fillim të këtij muaji, synojnë të rrisin sigurinë dhe të sigurojnë një zbritje më të rregullt të pasagjerëve. Sipas Drejtorisë së Aviacionit Civil të Turqisë, vendimi u mor pas ankesave të shumta dhe kontrolleve në fluturime, të cilat evidentuan një rritje të shkeljeve gjatë lëvizjes në pistë të avionit pas uljes.
Në Turqi, nuk është e pazakontë që pasagjerët të ngrihen në këmbë ose të fillojnë të lëvizin në kabinë menjëherë pas prekjes së tokës, çka shpesh shkakton konfuzion dhe zbritje të çrregullt.
Sipas rregullores së re, të gjitha kompanitë ajrore që operojnë në Turqi duhet të përfshijnë në njoftimet standarde gjatë fluturimit një paralajmërim të përditësuar, ku theksohet se shkeljet do të dokumentohen dhe raportohen.
Pasagjerëve gjithashtu u kujtohet të presin që të zbresin ata që ndodhen përpara tyre, duke shmangur nxitimin drejt daljes.
Rregullorja nuk specifikon shumën e gjobës, por mediat turke raportojnë se ajo mund të shkojë deri në 70 dollarë.
“Pavarësisht njoftimeve që informojnë për rregullat, shumë pasagjerë ngrihen në këmbë përpara se avioni të ndalojë dhe përpara se të fiket sinjali i rripit të sigurimit,” thuhet në njoftimin e autoritetit të aviacionit.
“Kjo sjellje rrezikon sigurinë e pasagjerëve dhe bagazheve dhe injoron përparësinë në dalje dhe kënaqësinë e udhëtimit të të tjerëve,” vijon më tej dokumenti.
Deri më tani nuk ka konfirmime zyrtare nëse gjobat kanë filluar të zbatohen në praktikë.
Turqia mbetet një ndër destinacionet më të frekuentuara nga turistët, duke pritur miliona vizitorë çdo vit./ AP