Një luftë tregtare nuk është në interesin e askujt, tha qeveria britanike, pas kërcënimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të vendosur tarifa prej 50% për mallrat e BE-së.

Trump kërcënoi të rriste tarifat për produktet e BE-së të premten e kaluar duke thënë se bisedimet me bllokun “nuk po çojnë askund” dhe duke sugjeruar se norma e re mund të hyjë në fuqi më 1 qershor.

Por, të dielën në mbrëmje ai tha se do t’i shtynte tarifat deri më 9 korrik për të lejuar “negociata serioze”.

Në komentet e para të Londrës që kur Trump bëri kërcënimin e tij, zëdhënësi zyrtar i kryeministrit tha sot se “ne gjithmonë kemi qenë të qartë se një luftë tregtare nuk është në interesin e askujt”.

“Dhe BE-ja dhe SHBA-ja janë dy nga partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë, prandaj jemi kaq të përqendruar në përmirësimin dhe forcimin e marrëdhënieve tona tregtare si me BE-në ashtu edhe me SHBA-në”, shtoi ai.

BE-ja aktualisht i nënshtrohet tarifave amerikane prej 10%, në përputhje me shumicën e vendeve të tjera, pasi Trump hoqi dorë nga taksat gjithëpërfshirëse që ai njoftoi më 2 prill, të cilat kishin përfshirë një tarifë prej 20% për bllokun.

Më parë këtë muaj, BE-ja tha se do të vendoste tarifat e veta për një gamë produktesh amerikane, duke përfshirë avionë, automjete dhe alkool, dhe do të fillonte veprime ligjore në Organizatën Botërore të Tregtisë nëse nuk mund të negocionte një zgjidhje me Uashingtonin.

Edhe pse Mbretëria e Bashkuar ka arritur të negociojë disa lëshime për tarifat e vendosura direkt mbi vendin, një luftë më e gjerë tregtare midis SHBA-së dhe BE-së mund të dëmtojë ende ekonominë britanike.