Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez ka bërë thirrje për përjashtimin e Izraelit nga Eurovision – sipas të cilit pezullimi i vendit nga konkursi më i madh muzikor në botë – është i nevojshëm për të qenë në solidaritet me popullin palestinez, i cili po përjeton absurditetin e luftës dhe bombardimeve.
Edicioni i këtij viti i Festivalit të Këngës në Eurovision ka përfunduar, por tensionet politike dhe dyshimet rreth votimit vazhdojnë ende.
Në edicionin e vitit 2025, fitues u shpall austriaku JJ me këngën e tij pop “Wasted Love”.
Izraeli, i kritikuar për pjesëmarrjen e tij në festivalin evropian pas pushtimit të Gazës – u rendit i dyti – i përfaqësuar nga Yuval Raphael me këngën “New Day Will Rise”.
“Askush nuk reagoi kur Rusia u ndalua nga garat ndërkombëtare dhe Eurovision pas pushtimit të Ukrainës”, tha Sanchez duke folur në prezantimin e raportit të “Fondacionit Cotec” – ndërsa bëri thirrje që i njëjti vendim të zbatohej edhe për Izraelin për shkak të luftës në Gazë.
Mesazhi i Sanchez u përforcua nga mesazhi i transmetuar drejtpërdrejt në “Television Espanola” (Rtve) para transmetimit të Konkursit të Këngës në Eurovision, i botuar në spanjisht dhe anglisht.
“Kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, heshtja nuk është një opsion. Paqe dhe drejtësi për Palestinën”, tha transmetuesi publik spanjoll.
“Rtve” mund të gjobitet për këtë mesazh, pasi Unioni Evropian i Transmetimeve (“EBU”), organizatori i festivalit, mbështet neutralitetin politik të festivalit – i cili megjithatë është prekur nga çështjet gjeopolitike për vite me radhë.