Robert Francis Prevost, 69 vjeç është Papa i ri i Vatikanit. Prevost është amerikani i parë që zgjidhet si udhëheqësi shpirtëror i besimtarëve katolik. Robert Francis Prevost do të mbajë emrin Papa Leoni XIV.

Ai u zgjodh me votat e kardinalëve në raundin e katërt të votimit. Robert Francis Prevost u gradua kardinal nga Papa Françesku. Robert Francis Prevost është lindur në Çikago dhe ka kaluar shumë vite si misionar në Peru.

Prevost do të pasojë Papa Françeskun në krye të Selisë së Shenjtë, pasi Papa humbi jetën në 21 Prill të këtij viti.

Pasuesi i Papa Françeskut, Papa Leoni XIV, ka dhënë përshëndetjen e tij të parë, njëherazi dhe mesazhin e parë nga Lozha e Shën Pjetrit, pas përzgjedhjes së tij nga konklava.

“Paqja qoftë me të gjithë ju. Motra e vëllezër të dashur kjo është përshëndetja ime e parë. E dua që kjo përshëndetja ime e parë të jetë një mesazh për paqen në të gjithë botën. Paqja qoftë me ju. Një paqe që vjen nga Zoti. Nga Zoti që i do të gjithë, pa kushte. Ne duhet të vazhdojmë të dëgjojmë zërin e dobët, por të fuqishëm të Papa Françeskut, që bekoi Romën dhe ka bekuar të gjithë botën, në mëngjes e ditën e Pashkëve. Ky mesazh thotë që Zoti ju do, Zoti ju do të gjithëve. E keqja nuk do prevalojë. Zoti ju do të gjithëve. Zoti është mes nesh. Bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Njerëzimi ka nevojë për dritën e Tij. Falenderoj të gjithë ata që më zgjodhën mua pasues të Papa Françeskut. Dua të bëj këtë falenderim të veçantë për Santa Maria”, u shpreh në fjalën e tij të parë si Papë, Robert Francis Privos

133 kardinalëve që kishin të drejtën e zgjedhjes nuk u është lejuar komunikimi me botën e jashtme gjatë kësaj kohe. Ditën e sotme u kryen edhe dy votime të tjera të cilat dështuan në zgjedhjen e Papës së ri.

Për zgjedhjen e Papës, janë kërkuar të paktën 2/3 e votave. Në rastin konkret janë nevojitur 89 vota për të zgjedhur Papën, pasi numri i kardinalëve zgjedhës është 133.

Vendimi për zgjedhjen e Papës është pritur me brohoritje dhe festime midis turmave të mbledhura në Vatikan.