Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa do të udhëtojë javën e ardhshme në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të anëtarësohen në BE.
Kjo është vizita e tij e parë në rajon që nga marrja e detyrës.
Misioni i tij do të fillojë në Serbi të martën, më 13 maj, dhe pasdite presidenti do të jetë në Bosnjë-Hercegovinë.
Të nesërmen, më 14 maj, do të jetë radha e Malit të Zi, një vend në krye të procesit të zgjerimit të BE-së, dhe pasdite radha e Kosovës.
Të enjten në mëngjes, Costa do të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut dhe pasdute do të mbërrijë në Tiranë.
Vizita do të kulmojë me një darkë informale me gjashtë partnerët ballkanikë, ku do të marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas dhe presidenti i radhës i Këshillit të BE-së dhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk.
Kryeqyteti i Shqipërisë do të presë samitin e Komunitetit Politik Evropian të premten, i pari që zhvillohet në një vend ballkanik, duke demonstruar, siç shpjegon një zyrtar i lartë i BE-së “rëndësinë e këtij rajoni në peizazhin politik evropian”.
“Për Costën, zgjerimi është investimi kryesor gjeostrategjik i Evropës, një investim në paqe, stabilitet dhe prosperitet. Nuk është vetëm një investim gjeopolitik, por, megjithatë”, paralajmëron burimi, ”ka edhe kritere që duhen përmbushur”.
Vizita vjen menjëherë pas pjesëmarrjes së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në paradën e 9 majit në Moskë, pavarësisht paralajmërimeve të BE-së.
“Ajo që ka rëndësi është dialogu: ne nuk bashkëveprojmë vetëm me ata me të cilët jemi dakord, as vetëm për të përcjellë mesazhe të lehta dhe pozitive. Ne bashkëveprojmë sepse këta partnerë janë të rëndësishëm për ne dhe ne besojmë se e ardhmja e Serbisë është evropiane”, vëren burimi.
Vizita zhvillohet gjithashtu në sfondin e krizës së thellë institucionale në Bosnjë-Hercegovinë.
“Në Këshill – shpjegon zyrtari – ka shqetësim për zhvillimet” në vend, por “nuk ka diskutime të vazhdueshme mbi sanksionet”.
Masa që në vend të kësaj janë miratuar në mënyrë bilaterale nga Gjermania dhe Austria kundër udhëheqjes së Republika Srpska, përfshirë presidentin Milorad Dodik./

















