Më 14 Prill pasdite në Luksemburg do të zhvillohet konferenca e katërt ndërqeveritare e BE-së me Shqipërinë ku do të hapet grup-kapitulli i dytë i negociatave ai për tregun e brendshëm. Presidenca polake ka arritur që të bindë ambasadorët e shteteve anëtare për të hapur sërish dritën jeshile për vendin tonë pas tre konferencave ndërqeveritare të mbajtura vitin e kaluar.
Të hënën në orën 19:00 do të ketë deklarime për mediat nga delegacionet pjesmarrëse në këtë raund të ri bisedimesh.
Hapja e grupkapitullit për “Tregun e Brendshëm” me 14 Prill e ndihmon Shqipërinë që të përshtasë standardet me ato të BE-së për ekonominë e tregut dhe të drejtat e konsumatorëve. Pas kësaj konference të katërt ndërqeveritare Shqipëria pret në muajin Qershor hapjen e një tjetër grupkapitulli, atë për konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirësë, që do ta çonte në 4 numrin e grupkapitujve nga 6 gjithsej në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Mbetën në radhë grupkapitujt Agjenda e Gjelbër dhe Qëndrueshmëria që përfshin transportin, energjinë dhe mjedisin e ndryshimet klimatike, si dhe grupkapitulli i fundit, ai për Bujqësinë me fokus sigurinë ushqimore, politikat e zhvillimit rural dhe të peshkimit. Të hënën kryediplomatët e shteteve ballkanike do të takohen me shefen e re të diplomacisë evropiane Kaja Kallas.
Ndërkaq të martën, ministrat e Jashtëm evropianë diskutojnë përshpejtimin e procesit të zgjerimit ku vendi ynë dhe Mali i Zi janë në pararojë të këtij procesi.
Kryeministri Rama e komentoi lajmin për mbajtjen e konferencës së katërt ndërqeveritare më 14 Prill duke ironizuar kryedemokratin Berisha.
“Po si thanë? S’ka më hapje kapitujsh ëëë?! U alarmua Europa nga narkodiktatura ëëë?! Madje mua s’më dhanë as darkë se u solla keq ëëë?!
Ëh ëh ëh… Të hënën në BE për Konferencën e Katërt të negociatave dhe një seri tjetër kapitujsh që hapen. S’ke si mos u thuash honxhobonxhove të kënetës politike e mediatike dhis is a mirrakëll of fridom. God blles Allbenia! God blles Jurop!”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Rama përsërit faktin se këto janë negociatat më intensive në historinë e integrimit pasi Mali i Zi po negocion që nga 2012 ndërsa vendi ynë vetëm në tre vite synon që të mbyllë negociatat në vitin 2027.