ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka kritikuar ashpër politikanët e Bashkimit Evropian në sfondin e një afrimi mes Kremlinit dhe administratës së re amerikane.
”Politikanë të tillë si ministrja në detyrë e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, kryediplomatja e BE-së Kaja Kallas dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen treguan se sa poshtë ka rënë BE-ja”, u tha sot Lavrov agjencive ruse të lajmeve.
”Ata politikanë nuk po mendonin për votuesit e tyre, por kishin vendosur dëshirën për të ndëshkuar Rusinë mbi mirëqenien e qytetarëve të tyre”, tha Lavrov në një takim të ministrave të Jashtëm të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura, në qytetin kazak, Almaty.
Në të kundërt, ai shprehu respekt për qeverinë amerikane nën presidentin Donald Trump.
”Kontaktet me palën amerikane kishin treguar se ekzistonte një mirëkuptim në parim për nevojën e dialogut duke ruajtur interesat kombëtare të të dyja palëve”, sipas ministrit.
“Ne shohim se, ndryshe nga Evropa, e cila – dhe këtu përfshij Britaninë e Madhe – po injoron plotësisht shkaqet e situatës aktuale, në Shtetet e Bashkuara ekziston një dëshirë për të trajtuar thelbin e problemit”, tha Lavrov.
Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës fqinje më shumë se tre vjet më parë.
Ndërsa aleatët perëndimorë kanë ofruar mbështetje masive ushtarake për Kievin, përpjekjet për të negociuar përfundimin e luftës morën një shtysë të re vetëm pasi presidenti i SHBA Donald Trump mori detyrën në janar.
Aleatët evropianë në fakt janë mënjanuar nga bisedimet SHBA-Rusi, duke nxitur frikën se Uashingtoni mund të negociojë një marrëveshje të favorshme për Moskën.