Ka disa udhëtime që u lejojnë profesionistëve të ndërthurin përgjegjësitë e punës me përvojat kulturore në destinacione, që ofrojnë infrastrukturën e nevojshme për produktivitet në lëvizje.
Holanda, Portugalia dhe Britania e Madhe janë destinacionet kryesore në Europë për “punë”, sipas një studimi të ri nga Notta.ai.
“Workations” janë një kombinim i punës dhe pushimeve, që kanë fituar popullaritet pasi shumë profesionistë e shohin punën në distancë efektive dhe preferojnë kontrata pune plotësisht në distancë.
Hulumtimi përdori të dhëna nga Wifimap.io, Coworker.com, World Population Review dhe Numbeo për të analizuar metrikat kryesore, duke përfshirë disponueshmërinë e Wi-Fi, hapësirat e përbashkëta të punës, shpejtësinë e internetit, kostot e qirasë dhe të ushqimit.
Portugalia shquhet për densitetin më të lartë të pikave Wi-Fi falas, me 1,935 vendndodhje në dispozicion në rreth 259 milionë metra katrorë.
Megjithatë, është Danimarka, e renditur e gjashta në Europë, ajo që ofron internetin me shpejtësi më të madhe.
Mbretëria e Bashkuar kryeson për infrastrukturën e saj të hapësirave të pëbashkëta të punës – 409 hapësira për çdo rreth 25.9 miliardë metra katrorë.
Mali i Zi është shfaqur gjithashtu si një destinacion tërheqës për shkak të kostove të përballueshme të jetesës dhe lidhjes së sigurt të internetit.
Cilat janë rreziqet për vendet europiane?
Ndryshimi drejt punës hibride pas pandemisë COVID-19 ka inkurajuar punëtorët nga industri të ndryshme, që të përqafojnë fleksibilitetin e zgjatjes së udhëtimeve të biznesit, të punës gjatë pushimeve familjare ose thjesht të ndryshojnë mjedisin e tyre për të rritur krijimtarinë.
Megjithatë, kjo prirje mbart rrezikun për të kontribuar në mbiturizëm në vende si Spanja, e cila renditet e nënta në listë.
Spanja është përpjekur shumë të balancojë nevojat e banorëve vendas me sfidat e paraqitura nga rritja e numrit të vizitorëve, veçanërisht pas protestave të forta kundër turizmit.
Qiratë në këtë vend të BE-së janë dyfishuar në dhjetë vitet e fundit, për shkak të historisë së spekulimeve të pasurive të paluajtshme dhe mungesës së banesave të reja të përballueshme.
Mijëra protestues dolën në rrugë në 40 qytete në të gjithë Spanjën më 5 prill nën sloganin “T’i japim fund biznesit të strehimit”, duke shënuar një moment historik, pasi ishin protestat e para të mbajtura njëkohësisht në disa qytete të vendit, një dekadë pas protestave masive kundër dëbimeve./ Euronews, Shqip.al