Na ka ndodhur thuajse të gjithëve që të jemi në mbledhje ose me një grup të madh njerëzish dhe ka qenë përherë njëri që ka udhëhequr, duke mbajtur gjallë bisedën. Kjo patjetër është gjë e mirë, deri në momentin që bëhet tejet intensiv dhe nuk u lë radhë të tjerëve. Po pse disa njerëz nuk arrijnë ta kontrollojnë të folurën?
Ka disa arsye për këtë. Disa njerëz kanë lindur të tillë, pra pak llafazanë… Të tjerë janë njerëz të pavëmendshëm, nuk kanë fokus dhe nuk arrijnë të kuptojnë çekuilibrin mes të folurit dhe të dëgjuarit. Arsye të tjera sipas ekspertëve janë si më poshtë, nga të cilat mund të mësoni dhe patjetër të menaxhoni të folurën e tepruar.
-Ristrukturimi i mjedisit social
Grupet prej më shumë se 6 personash nuk janë favorizuese. Duhet ta ripozicionojmë veten në një grup më të vogël njerëzish, ku të gjithë angazhohen njësoj. Kjo sepse grupet shoqërore nuk janë mbledhje apo klasa, dhe absolutisht vëmendja s’duhet marrë me zor në çdo rast!
-Qëndrimi tematik
Duhet të identifikojmë qartë temën dhe t’i përgjigjemi. Por argumenti duhet të jetë sa më i shkurtër dhe pa “shtuar shumë ujëra”. Nëse e kapni veten duke devijuar në tema të tjera, më mirë bëni një pauzë dhe rifillojeni më vonë bisedën.
-Statusi social
Një arsye pse mund të teprohet me të folurën çuditërisht lidhet edhe me statusin social, sepse disa njerëz këtë gjë e perceptojnë në mënyrë krejtësisht të gabuar. Flasin për veten sikur janë ekspertë, qoftë edhe për shkak të disa eksperiencave më shumë.
-Problemi kryesor nuk lidhet me “sa kohë jeni duke folur”, por sa “shumë gjëra po thoni njëherësh”.
Pra, duhet bërë dallimi mes ideve dhe fjalive sipërfaqësore. Sa më pak të përsërisim, aq më interesante bëhet biseda. Shumë informacion, bën që njerëzit edhe të mërziten.
-Ndonjëherë është më mirë të mos thuash asgjë!
Në shoqërinë e sotme, shumë njerëz tundin kokën në shenjë dakordësie për ta inkurajuar atë që flet. Por jo gjithmonë! Herë ka psherëtima, ose shmangie shikimi që pasohet me një ndërprerje që eskalon në debat më vonë. Është shumë e thjeshtë për të mos shkuar në këtë pikë! Mjafton që secili të kuptojë gjuhën e trupit të personit përballë që në sinjalet e para.
-Të jesh i drejtpërdrejtë!
Kjo cilësi “shkurton” kohë! Njerëzit që zgjedhin t’i thonë gjërat hapur, janë gjithmonë më tërheqës dhe nuk zgjaten shumë. Duke u munduar të jemi herë diplomatikë ose shumë të sjellshëm, në fakt na ndodh të stërzgjatemi për të dalë në një konkluzion apo qoftë për të shtruar një pyetje.