Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka nisur konsultimet për modelin e fletëve të votimit për zgjedhjet e 11 Majit. Janë konceptuar disa modele, duke filluar nga qarqet e mëdha, të mesme dhe të vogla.
Ky është modeli fletës vertikalisht dhe horizontalisht për qarqet e mëdha, siç është Tirana e cila këtë herë do të ketë 37 mandate deputeti.
Ky model është edhe më i preferuari për dy forcat e mëdha politike si PS dhe PD. Madhësia e fletës për qarkun e Tiranës është 59 cm me 42 cm, më e madhe se sa fleta e votimit që është përdorur në zgjedhjet e mëparshme.
Ndërsa këto modele janë për qarqet e mandate më të vogla, ose qarqet e mesëm dhe të vegjël.
Sipas modelit, i cili preferohet dhe nga dy forcat më të mëdha politike, në krye të fletës është emri i partisë, më pas emrat e kandidatëve që janë në listë të mbyllur dhe poshtë kësaj kategorie janë emrat e kandidatëve për deputet në listë të hapur, që do të zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët.
Një qytetar më 11 Maj nuk duhet të zgjedhë një nga emrat e listave të mbyllur, por pasi ka votuar për partinë duhet të votojë një nga kandidatët që janë të pozicionuar në listën e hapur.
Nëse zgjedh vetëm partinë dhe asnjë kandidat, vota është e vlefshme dhe i shkon partisë. Gjithashtu, edhe nëse voton vetëm një kandidat, vota i shkon atij dhe partisë apo koalicionit ku bën pjesë.
Modeli zyrtar i fletës së votimit do të vendoset në momentin kur të ketë përfunduar regjistrimi i forcave politike dhe koalicioneve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 Majit.
Komisioni Qëndor i Zgjedhjeve do të përdorë të njëjtin model zyrtar flete edhe për votën e diasporës.
Sipas afateve që janë vendosur nga KQZ, më 25 shkurt përfundon afati për depozitimin e kërkesave të partive politike për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor, më 3 Mars përfundon afati për depozitimin e kërkesave për regjistrimin e koalicioneve, më 12 Mars përfundon afati për depozitimin e listave të kandidatëve, më 17 Mars përfundon afati për verifikimin e dokumentacionit të kandidatëve, më 20 Mars përfundon afati për plotësimin e dokumentacionit të kandidimit, më 25 Mars përfundon afati për miratimin e listave të kandidatëve për deputet.

















