Monumenti i pavarësisë NEWBORN erdhi me pamje të re për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke reflektuar një nga temat më të diskutuara në vend dhe në mbarë botën – inteligjencën artificiale.

Ideatori i këtij monumenti, Fisnik Ismaili, ka theksuar se përmes ngjyrosjes së NEWBORN-it, ata synojnë të përfaqësojnë Kosovën me tema aktuale ndër vite. Sivjet, fokusi është tek inteligjenca artificiale, një teknologji që po ndryshon mënyrën se si funksionon shoqëria moderne.

Punimet për transformimin e monumentit nisën të premten, dhe pritet të përfundojnë të dielën. Ndërsa më sot u realizuan fotografitë zyrtare, pastaj qytetarët do të kenë mundësinë ta nënshkruajnë monumentin.

NEWBORN është shndërruar në një atraksion turistik që kur u ekspozua për herë të parë me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Monumenti simbolizon shtetin më të ri në Evropë.