Amb. Dr. ISLAM LAUKA,
ish Ambasador i Shqipërisë në Kosovë

Ka disa ditë që Richard Grenelli po i bën thirrje popullit të Kosovës që, me 9 Shkurt, të mos e votojë Albin Kurtin për kryeministër, sepse, sipas tij, ai është i pabesueshëm dhe i papranueshëm për SHBA-në. Jo vetëm kaq, por si burrë burri që është, ai merr “guximin” e thote që të gjithë në Perëndim janë kundër Kurtit.
Së pari, ai duhet të na sqarojë se për cilin Perëndim e ka fjalën, sepse ai që ne njohim deri tani, është ngritur kundër politikave të administratës së presidentit Trump.
Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania janë rreshtuar hapur kundër kërcënimeve të Uashingtonit për rritjen e tarifave ndaj eksporteve të këtyre vendeve. Londra, Parisi dhe Boni, gjithashtu, janë distancuar prerë nga deklaratat e Trumpit për largimin e palestinezëve nga Gaza. Kanadaja dhe Danimarka, të dyja vende anëtare të NATO-s, kanë deklaruar se do mbrojne çdo centimetër të territorit të tyre, kundër kërcënimeve agressive të presidentit Trump.
A mund të ketë gojë të flasë në emër të Perëndimit, Ricard Grenelli, i cili bashkë me presidentin e tij nuk po lë gjë pa bërë kundër Perëndimit? Ai edhe mund të flasë, por duhet ta dijë se në këtë pikë, ai është krejtësisht i pabesueshëm. Ndaj, për të ruajtur fytyrën e vet, nëse i ka mbetur gjë prej saj, më mirë të heshtë.
Së dyti, nuk është hera e parë që Richard Grenelli flet kundër Albin Kurtit. Në vitin 2020, jo vetëm që foli, por në bashkëpunim me një çetë servilësh kosovarë, veproi kundër tij, duke e shkarkuar si kryeministër. Arsyeja? Sepse Grenelli kërkoi heqjen e menjëhershme të tarifave me Serbinë, ndërkohë që Kurti ishte për gradualitet.
Po cili është thelbi i politikës ekonomike të administratës Trump sot? – Merkantilizmi, proteksionizmi, vendosja e tarifave ndaj vendeve fqinje dhe aleate. Pra, administrata amerikane ku bën pjesë Grenelli, po zbaton me përparësi një politikë për të cilën, para katër vjetësh, është shkarkuar nga posti i kryeministrit Albin Kurti.
A mund të jetë i besueshëm një njeri që thotë bëj siç them unë, por mos bëj siç bëj unë?
Së fundi, Richard Grenelli ka një konflikt të hapur interesi me Albin Kurtin. Në qoftë se Rama dhe Vuçiçi, në rrugë korruptive, i mundësuan atij dhe dhëndrit të Trumpit zhvillimin e projekteve fitimprurëse në zemër të Beogradit, a rivierës shqiptare, Kurti, si i pa korruptueshëm që është, ia vuri kufirin te thana: jo afera korruptive në Kosovë.
Veç kësaj, nuk janë të paktë zërat që e akuzojnë Grenellin si lobist të paguar të qeverisë serbe.
A mund të jetë i besueshëm një njeri i përfshirë në afera korruptive si ai?
Në këtë kontekst, me 9 shkurt, populli i Kosovës duhet të vendosë vetë se kë duhet të zgjedhë si kryeministër për katër vitet në vazhdim. Kriteri i përzgjedhjes duhet të jetë jo shantazhi i tipit putinist të Richard Grenellit, por sa ky apo ai program zgjedhor u shërben interesave të qytetarëve dhe konsolidimit të shtetësisë së Kosovës së pavarur.