PODGORICË – Qindra malazezë protestuan të premten në kryeqytetin e Mali të Zi Podgoricë kundër, siç thanë ata, mungesës së veprimeve të autoriteteve për ta parandaluar vrasjen e shumëfishtë që shkaktoi vdekjen e 12 personave dhe plagosjen e rëndë të katër të tjerëve.

Vrasja e shumëfishtë, ndër më të rëndat në vend, ndodhi të mërkurën pasdite, kur 45 vjeçari Aco Martinoviç qëlloi viktimat në Cetinjë pasi kishte konsumuar alkool. Ai arriti t’i shmanget policisë për orë të tëra.

Në mesin e të vrarëve është edhe motra e tij. Më pas ai vrau veten dhe vdiq nga plagët e marra në orët e hershme të së enjtes.

Shumë banorë të Malit të Zi janë të zemëruar me ato që i konsiderojnë reforma të ngadalshme të policisë, e cila ka mungesë punonjësish dhe fondesh dhe grindjeve burokratike dhe politike brenda qeverisë.

Protestuesit fillimisht mbajtën heshtje për të përkujtuar viktimat dhe pastaj lëshuan fyerje në drejtim të policisë, të cilët rrethuan ndërtesën e qeverisë në qendër të qytetit. Disa protestues u përpoqën që të thyejnë perimetrin e sigurisë.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet “Sistemi juaj është i kalbur” dhe “I keni duart e përgjakura”. Ata lidhën trëndafila me fjongo të zeza në shenjë zie.

Kërkesat për dorëheqje

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e zyrtarëve të lartë, përfshirë Ministrin e Brendshëm Danilo Saranoviç dhe drejtorin e policisë Lazar Sçepanoviç.

Drejtori Sçepanoviç tha të enjten se përgjigja e policisë ndaj të shtënave ishte vonuar për shkak të informacionit të gabuar, që e drejtoi patrullën e policisë në drejtim të gabuar.

“Si njerëz të ndershëm, duhet të dilni dhe të na tregoni se çfarë po ndodh në sistemin tuaj… apo nesër një tragjedi e tillë mund të trokasë në derën tonë”, brohoriti një protestues.

Kjo ishte vrasja e dytë në masë brenda më pak se tre vitesh në Cetinjë, që gjendet 38 kilometra në perëndim të Podgoricës. Në gusht të vitit 2022, një i armatosur vrau 10 persona, përfshirë dy fëmijë, para se të vritej.

Protesta e të premtes përkoi me seancën e Këshillit Kombëtar të Sigurisë që u mblodh për të diskutuar mbi incidentin, përfshirë për çështjet që lidhen me luftimin e armëmbajtjes pa leje, ashpërsimin e kritereve për armëmbajtje dhe rekrutimin e më shumë pjesëtarëve të policisë.

Ashtu si vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, Mali i Zi është i mbushur me armë pa leje, të mbetura kryesisht nga luftërat e përgjakshme të viteve 1990-ta.